
Mabco Construction flet për përjashtim të paligjshëm nga projekti, shkelje të kontratës dhe paralajmëron ndjekje penale e civile
Tensionet rreth projektit të Aeroportit të Vlorës janë përshkallëzuar ndjeshëm, pasi kompania Mabco Construction, në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli, ka dalë me akuza të forta publike ndaj Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke vënë drejtpërdrejt në qendër të kritikave ministren dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Në një shkresë zyrtare drejtuar Ballukut, për dijeni edhe kryeministrin Edi Rama, Mabco denoncon një takim të zhvilluar më 12 janar 2026 në kantierin e aeroportit, të cilin e cilëson si të njëanshëm, të paligjshëm dhe në shkelje të hapur të marrëveshjes koncesionare. Në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoritetit të Aviacionit Civil, Albcontrol, si dhe kompania 2A Group, në pronësi të Valon Ademit, aksioner minoritar në shoqërinë koncesionare VIA.
Sipas Mabcos, takimi është zhvilluar pa praninë e aksionerit mazhoritar që zotëron 98 % të aksioneve dhe ka investuar deri tani rreth 80 milionë euro në projekt. Kompania e konsideron këtë veprim si precedent të rrezikshëm dhe cenim të rëndë të parimeve të bashkëpunimit, transparencës dhe vetë kontratës së koncesionit.
Në letër pretendohet se përfaqësuesi i Mabcos dhe konsulent për certifikimin e aeroportit, Afrim Aziri, është ndaluar fizikisht të marrë pjesë në takim, duke u shpallur i padëshiruar për shkak të lidhjes me kompaninë. Po ashtu, drejtori i projektit të Mabcos, Fadil Neziri, është larguar nga mbledhja pavarësisht se dispononte prokurë të rregullt përfaqësimi, pa asnjë reagim nga institucionet shtetërore të pranishme.
Mabco akuzon Ministrinë e Infrastrukturës për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me aksionerin e pakicës dhe nënvizon se fakti që mbledhja u zhvillua në ambientet e kompanisë 2A Group në kantierin e aeroportit përforcon dyshimet për një qasje të paragjykuar dhe përjashtuese ndaj investitorit kryesor.
Kompania kërkon përsëritjen e menjëhershme të mbledhjes me praninë e të gjithë aksionerëve dhe garantimin e një procesi transparent e ligjor. Në të kundërt, Mabco paralajmëron ndjekjen e të gjitha rrugëve ligjore, administrative, civile dhe penale për mbrojtjen e investimit dhe interesit publik.
Nga ana tjetër, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk ka reaguar ende zyrtarisht ndaj këtyre akuzave. Ndërkohë, përplasja mes ortakëve të Aeroportit të Vlorës vijon prej muajsh edhe në gjykatë. Aktualisht, struktura e pronësisë parashikon 98 % të aksioneve për Mabco dhe 2% për Valon Ademin, i cili pretendon se për shkak të investimeve të kryera i takon një pjesë më e madhe e aksioneve.
Për këtë çështje ka nisur një hetim nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa SPAK ka konfirmuar se po verifikon procedurat e ndjekura në dhënien e koncesionit të Aeroportit të Vlorës.
