
Presidenti amerikan prezanton një strukturë të re globale për paqen, me mandat përtej Gazës dhe me një çmim prej 1 miliard dollarësh për anëtarësim afatgjatë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka hedhur në qarkullim një ide për krijimin e një strukture të re të quajtur Bordi i Paqes, e cila ofron vende të përhershme vetëm për shtetet që kontribuojnë me të paktën 1 miliard dollarë.
Sipas dokumenteve të statutit të kësaj strukture, të bëra publike nga media amerikane, Bordi i Paqes ishte konceptuar fillimisht si pjesë e një përpjekjeje të mbështetur nga Kombet e Bashkuara për rindërtimin dhe qeverisjen tranzitore të Gazës. Megjithatë, statuti i ri i jep bordit një mandat global, duke e shndërruar atë në një mekanizëm ndërkombëtar që synon të ndërhyjë në konflikte të ndryshme, sipas vendimeve të vetë Trampit dhe bordit që ai drejton.
Sipas rregullave të përcaktuara, anëtarët ftohen për mandate trevjeçare, me mundësi rinovimi. Por ekziston një përjashtim i qartë: shtetet që kontribuojnë më shumë se 1 miliard dollarë brenda vitit të parë nga hyrja në fuqi e statutit, përjashtohen nga kufizimi kohor dhe fitojnë status të përhershëm. Dokumenti nuk specifikon qartë se si do të përdoren këto fonde, përtej një formulimi të përgjithshëm për financim vullnetar të aktivitetit të bordit.
Bordi i Paqes është miratuar në parim nga Këshilli i Sigurimit në nëntor, si pjesë e planit 20-pikësh të Trampit për Gazën, me një mandat fillestar dyvjeçar që përfundon në dhjetor 2027. Megjithatë, struktura e re e anëtarësimit dhe kontributet miliardëshe sugjerojnë ambicie shumë më afatgjata.
Në përbërje të bordit drejtues janë emra të njohur ndërkombëtarë, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, dhëndrin dhe këshilltarin e Trumpit Jared Kushner, ish-kryeministrin britanik Tony Blair, si dhe drejtues të institucioneve financiare globale. Paralelisht, është krijuar edhe një panel teknokratësh palestinezë për administrimin e përditshëm të Gazës.
Ftesa për t’u bashkuar me Bordin e Paqes u janë dërguar disa liderëve botërorë, përfshirë presidentin argjentinas Javier Milei, kryeministrin turk Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministrin kanadez Mark Carney, i cili sipas mediave ka pranuar ftesën. Njoftime të tjera priten gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos.
