
Në pranga përfundon drejtuesi 32-vjeçar i mjetit të rëndë, policia e Himarës zbardh detajet e ngjarjes
Një aksident i rëndë me pasojë humbjen e jetës është regjistruar në një kantier ndërtimi në zonën Palasë–Dhërmi. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë kanë arrestuar një 32-vjeçar, banues në Vlorë, i dyshuar si përgjegjës për ngjarjen tragjike.
Sipas policisë, gjatë një manovre të gabuar me mjetin e rëndë tip eskavator, 32-vjeçari ka goditur aksidentalisht një punëtor 45-vjeçar, banues në Gjirokastër. Si pasojë e goditjes, ky i fundit ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Drejtuesi i eskavatorit u arrestua për veprat penale drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt dhe shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë. Grupi hetimor po vijon veprimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit, si dhe për të verifikuar kushtet e sigurisë në kantierin e ndërtimit.
Ngjarja ka tronditur zonën, ndërsa autoritetet apelojnë për respektim rigoroz të rregullave të sigurisë në punë, për të shmangur tragjedi të tilla.
