
Instrumenti anti-koercion i BE-së shihet si mjeti më i fortë kundër presionit amerikan, por vendimi mbetet politikisht i rrezikshëm
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, po shtyn Bashkimin Europian drejt një reagimi më të ashpër ndaj kërcënimeve të reja tregtare të Shteteve të Bashkuara, pasi Donald Tramp ka paralajmëruar rritje të tarifave doganore, këtë herë të lidhura edhe me çështjen e Groenlandës.
Që nga rikthimi i Tramp në Shtëpinë e Bardhë, marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Bashkimi Europian janë tensionuar vazhdimisht. Evropa ka qenë objekt i tarifave të njëanshme, presioneve ndaj sektorëve strategjikë si vera dhe pijet alkoolike, si edhe kërcënimeve ndaj kompanive europiane në fushën e shërbimeve digjitale dhe teknologjisë.
Në këtë kontekst, Macron dhe disa liderë të tjerë europianë kanë rikthyer në tryezë instrumentin anti-koercion, një mekanizëm ligjor në fuqi që nga fundi i vitit 2023. Ky instrument i jep BE-së të drejtën të kundërpërgjigjet fuqishëm kur një shtet i tretë ushtron presion ekonomik ose tregtar për qëllime politike, përmes tarifave, kufizimeve të investimeve apo masave ndaj kompanive të huaja.
Brenda institucioneve europiane, instrumenti anti-koercion përshkruhet si ekuivalenti ekonomik i parandalimit ushtarak: ekziston për të frikësuar, por përdorimi i tij real mbetet një hap ekstrem. Deri tani, mungesa e unitetit mes 27 vendeve anëtare dhe frika nga përshkallëzimi i konfliktit me SHBA-në kanë penguar aktivizimin e tij.
Megjithatë, kërcënimet e fundit nga Uashingtoni po e shtyjnë debatin në një fazë të re. Disa diplomatë europianë vlerësojnë se pa një reagim të fortë, BE rrezikon të shihet si e dobët përballë presioneve amerikane. Të tjerë paralajmërojnë se përdorimi i këtij instrumenti mund të hapë një luftë tregtare me pasoja të rënda për ekonominë europiane.
Vendimi përfundimtar mbetet politik: a do të guxojnë Vendet Anëtare të nxjerrin nga “sirtari” armën më të fortë ekonomike të BE-së, apo do të zgjedhin sërish rrugën e kompromisit diplomatik përballë Donald Tramp.
