
Tetë vende europiane dalin me deklaratë të përbashkët kundër presionit ekonomik të SHBA-së dhe mbrojnë sovranitetin e Danimarkës dhe Groenlandës
Udhëheqësit europianë kanë reaguar ashpër ndaj kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Tramp për vendosjen e tarifave ndëshkuese ndaj vendeve europiane në rast se nuk arrihet një marrëveshje për blerjen e Groenlandës, duke paralajmëruar se një veprim i tillë mund të çojë në një spirale të rrezikshme për marrëdhëniet mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara.
Në një deklaratë të përbashkët, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Norvegjia, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar theksuan se kërcënimet me tarifa minojnë bashkëpunimin transatlantik dhe rrezikojnë stabilitetin ekonomik e politik. Vendet nënvizuan se mbeten të përkushtuara për forcimin e sigurisë në Arktik dhe janë të gatshme për dialog, por vetëm mbi bazën e respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial.
Sipas deklaratës, vendet anëtare të NATO shprehin solidaritet të plotë me Mbretërinë e Danimarkës dhe popullin e Groenlandës, duke refuzuar çdo formë presioni ekonomik për qëllime politike.
Reagimi vjen pasi Tramp paralajmëroi se nga 2 shkurti do të vendosë një tarifë 10 % për mallrat e eksportuara drejt SHBA-së nga këto vende, me kërcënimin se ajo do të rritet në 25 % nga 1 qershori nëse nuk arrihet ajo që ai e quan blerje e plotë dhe totale e Groenlandës.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron dhe disa liderë nordikë, e kanë dënuar publikisht këtë qasje. Kryeministri suedez Ulf Kristersson deklaroi se aleatët nuk do të shantazhohen dhe se vetëm Danimarka dhe Groenlanda vendosin për çështjet që i përkasin atyre.
Edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas, paralajmëroi se përçarjet brenda aleancës po shfrytëzohen nga Rusia dhe Kina. Ajo theksoi se çdo shqetësim për sigurinë e Groenlandës duhet të trajtohet brenda NATO-s dhe se tarifat do t’i bënin si Evropën ashtu edhe SHBA-në më të varfra, duke dëmtuar mirëqenien e përbashkët.
Ndërkohë, drejtuesit e Groenlandës kanë qenë të prerë në qëndrimin e tyre. Kryeministri i territorit autonom, Jens-Frederik Nielsen, ka deklaruar se Groenlanda nuk është në shitje dhe nuk dëshiron të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara, një mesazh i përforcuar edhe nga protestat masive të qytetarëve në Nuuk.
Tensionet për Groenlandën po kthehen kështu në një nga përplasjet më serioze politike dhe ekonomike mes aleatëve perëndimorë, ndërsa Europa sinjalizon se është e gatshme të qëndrojë e bashkuar përballë presioneve nga Uashingtoni.
