
Deri në 12 centimetra borë priten brenda ditës, autoritetet paralajmërojnë vështirësi serioze në qarkullim dhe transport ajror
Reshjet e dendura të borës kanë goditur sërish New York City, duke shkaktuar probleme të mëdha në qarkullim dhe transport gjatë fundjavës festive. Sipas parashikimeve, trashësia e borës pritet të arrijë deri në 5 inç, rreth 12 centimetra, deri në mbrëmje.
Banorë të shumtë janë parë duke lëvizur me vështirësi në zona si Prospect Park, ndërsa rrugët urbane dhe trotuaret janë mbuluar nga shtresa e borës që ka vijuar pa ndërprerje që në orët e para të ditës.
Shërbimi Kombëtar i Motit, National Weather Service, njoftoi se reshjet do të zhvillohen në dy faza kryesore. Fillimisht pritet një shtresë prej 2 deri në 5 centimetra në orët e mëngjesit, e ndjekur nga një valë e dytë më intensive pasdite dhe në mbrëmje, me një pauzë të shkurtër rreth mesditës.
Situata ka krijuar kaos në udhëtime, veçanërisht në aeroporte, ku janë raportuar vonesa dhe anulime fluturimesh. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të përdorin transportin publik vetëm në raste urgjente.
Shërbimet bashkiake janë angazhuar në pastrimin e rrugëve dhe shpërndarjen e kripës, por intensiteti i borës dhe temperaturat e ulëta po e bëjnë ndërhyrjen të vështirë. Meteorologët paralajmërojnë se kushtet e motit do të mbeten të paqëndrueshme edhe gjatë orëve në vijim, duke rritur rrezikun për aksidente dhe bllokime të tjera në qytet.
