
Aksidenti në jug të vendit lë disa viktima dhe të plagosur, dhjetëra pasagjerë të bllokuar në vagonë
Një aksident i rëndë hekurudhor është regjistruar mbrëmjen e së dielës në jug të Spanjës, ku një tren ka dalë nga shinat pranë zonës së Adamuz, në provincën e Cordoba. Sipas autoriteteve, incidenti ka përfunduar me disa viktima dhe shumë të plagosur.
Sipas informacioneve paraprake nga shërbimet e emergjencës, treni që doli nga shinat u përplas më pas me një tjetër konvoj që po qarkullonte në linjën ngjitur. Pas disa orësh nga ngjarja, Guardia Civil konfirmoi se nga aksidenti ka disa të vdekur, ndërsa numri i saktë i viktimave ende nuk është bërë publik.
Mediat spanjolle raportojnë se në aksident janë përfshirë dy trena me shpejtësi të lartë. Njëri prej tyre, i kompanisë Iryo, transportonte rreth 300 pasagjerë në momentin e ngjarjes. Dhjetëra persona mbetën të bllokuar brenda vagonëve, ndërsa ekipet e shpëtimit ndërhynë për nxjerrjen e tyre dhe dhënien e ndihmës së parë.
Shërbimet e emergjencës dhe forcat e sigurisë ndodhen në vendngjarje dhe operacionet e kërkim shpëtimit po vijojnë. Autoritetet kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e daljes nga shinat, të cilat për momentin mbeten të paqarta.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Spanjë dhe ka ngritur pikëpyetje mbi sigurinë e linjave hekurudhore me shpejtësi të lartë. Autoritetet pritet të japin më shumë detaje në orët në vijim, ndërsa bilanci i viktimave mund të ndryshojë.
