
Avioni ATR 42-500 humbi kontaktin gjatë fluturimit Yogyakarta–Makassar dhe u përplas në malin Bulusaraung, kërkimet vijojnë në terren të vështirë
Një person është konfirmuar i vdekur dhe 10 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur pasi u gjetën mbetjet e një avioni që humbi kontaktin gjatë fluturimit në Indonezi. Avioni i kompanisë Indonesia Air Transport u zhduk nga radarët të shtunën, më 17 janar, gjatë udhëtimit nga Yogyakarta drejt Makassar.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit të Indonezisë, BASARNAS, avioni tip ATR 42-500 humbi kontaktin rreth orës 13:17 me kohën lokale, mes rajoneve Maros dhe Pangkep në provincën e South Sulawesi. Në bord ndodheshin 11 persona, tetë anëtarë ekuipazhi dhe tre pasagjerë.
Trupi i njërit prej personave u gjet mes rrënojave në shpatet e Mount Bulusaraung, njoftoi BASARNAS. Identiteti i viktimës nuk është bërë ende publik. Ekipet e shpëtimit kanë vijuar operacionet e evakuimit dhe kërkimit në zonën malore, ku terreni dhe kushtet e motit e bëjnë ndërhyrjen të vështirë.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë copa të shpërndara të avionit në terren, ndërsa ekipet po kontrollojnë zonën për të gjetur të mbijetuar ose trupa të tjerë. Sipas raportimeve, alpinistë që ndodheshin në mal kishin vënë re mbetje të avionit dhe gjurmë zjarri, duke ndihmuar autoritetet të lokalizonin zonën e përplasjes.
Autoritetet indoneziane të sigurisë së transportit bëjnë me dije se, bazuar në të dhënat paraprake, avioni dyshohet se u përplas me shpatin e malit gjatë fluturimit. Shkaqet e sakta të aksidentit nuk janë përcaktuar ende dhe hetimet zyrtare janë në vijim.
Avioni ishte marrë me qira nga Ministria e Çështjeve Detare dhe Peshkimit për një mision mbikëqyrjeje detare. Autoritetet kanë premtuar se do të publikojnë më shumë informacion sapo të ketë zhvillime të reja në operacionin e kërkim-shpëtimit dhe hetim.
