
Operacioni Operacionalja çon në pranga dy shtetas të dyshuar për përfshirje në trafikimin e qenieve njerëzore, pritet ekstradimi drejt Kosovës
Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Kosovës janë arrestuar në Tiranë nga Policia e Shtetit, në kuadër të operacionit policor të koduar Operacionalja.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan fazat e 78-të dhe 79-të të këtij operacioni. Si rezultat, në kryeqytet u kapën dhe u ndaluan shtetasit R. B. dhe G. H., banues në Tiranë.
Të dy ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi më 13 janar 2026 ishte lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar nga UNMIK, për llogari të autoriteteve të Kosovës. Ata dyshohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit të strukturuar kriminal në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore, vepra të parashikuara nga Kodi Penal i Kosovës.
Shtetasit janë ndaluar me qëllim ekstradimin drejt Kosovës, ndërsa procedurat ligjore për dorëzimin e tyre vijojnë në bashkëpunim me autoritetet përkatëse. Policia thekson se operacionet kundër kriminalitetit ndërkufitar do të vijojnë pa ndërprerje.
