
Rusia deklaron se ka marrë ftesë zyrtare për t’iu bashkuar iniciativës amerikane që synon rindërtimin dhe qeverisjen pasluftës në Rripin e Gazës
Presidenti amerikan Donald Tramp i ka dërguar një ftesë zyrtare presidentit rus Vladimir Putin për t’iu bashkuar të ashtuquajturit Bord i Paqes për Gazën, një iniciativë e udhëhequr nga SHBA në kuadër të planit 20-pikësh të Tramp për zgjidhjen e konfliktit në territorin palestinez.
Lajmi është bërë i ditur nga agjencia shtetërore ruse TASS, duke cituar një zyrtar të lartë të Kremlinit. Sipas njoftimit, ftesa është përcjellë përmes kanaleve diplomatike dhe aktualisht po shqyrtohet nga autoritetet ruse.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi publikisht ekzistencën e ftesës, duke deklaruar se Rusia po analizon me kujdes detajet e propozimit përpara se të marrë një vendim. Ai theksoi se bëhet fjalë për një iniciativë me përmasa ndërkombëtare, e cila mund të ketë ndikim të gjerë politik dhe diplomatik.
Bordi i Paqes për Gazën është konceptuar si një strukturë ndërkombëtare e drejtuar nga SHBA, e krijuar për të mbikëqyrur rindërtimin dhe qeverisjen e Rripit të Gazës pas përfundimit të luftës. Struktura parashikon tre nivele: një këshill të lartë të kryesuar nga vetë Trump, ku do të përfshihen figura politike dhe ekonomike globale; një bord ekzekutiv rajonal; si dhe një komitet teknokrat palestinez.
Sipas planit, kjo strukturë synon stabilizimin e Gazës, çmilitarizimin e Hamasit dhe menaxhimin e miliarda dollarëve fonde për rindërtim. Njëkohësisht, iniciativa shihet si një përpjekje për të shtrirë ndikimin e saj edhe në konflikte të tjera globale.
Burime ndërkombëtare bëjnë me dije se edhe disa liderë të tjerë botërorë kanë konfirmuar gjatë fundjavës se kanë marrë ftesa për t’iu bashkuar kësaj nisme, duke e kthyer Bordin e Paqes për Gazën në një nga projektet më ambicioze diplomatike të administratës Trump.
Zhvillimet pritet të ndiqen nga afër, ndërsa qëndrimi përfundimtar i Rusisë mund të ndikojë ndjeshëm në balancat politike rreth çështjes së Gazës dhe marrëdhënieve SHBA–Rusi.
