
Media italiane denoncojnë rikthimin e 40 migrantëve me precedentë të rëndë penalë dhe akuzojnë gjyqësorin dhe të majtën për sabotim të marrëveshjes me Shqipërinë
Një valë e fortë polemikash ka përfshirë Italinë pas rikthimit të 40 shtetasve të huaj, të cilët ishin përzgjedhur për t’u transferuar në qendrat e ndalimit në Shqipëri, por u kthyen sërish në territorin italian. Media dhe komentatorë politikë në Itali e kanë cilësuar këtë veprim si një dështim të rëndë institucional dhe një goditje ndaj politikave të emigracionit.
Sipas raportimeve, këta persona ishin transferuar nga disa qendra ndalimi në qytete të ndryshme italiane, përfshirë Torino, Milano, Romë, Bari, Brindisi, Gorizia dhe Caltanissetta. Shumica e tyre rezultojnë me precedentë penalë seriozë, që përfshijnë dhunë fizike, trafik droge, grabitje, krime seksuale, dhunë në familje dhe raste të përsëritura të shkeljes së ligjit.
Në listën e personave të rikthyer përfshihen shtetas nga disa vende, kryesisht nga Afrika e Veriut dhe Azia, me numrin më të madh nga Maroku, Pakistani, Algjeria dhe Bangladeshi. Media italiane theksojnë se bëhet fjalë për individë të cilësuar si rrezik shoqëror, të cilët sipas tyre nuk duhet të qëndronin më në territorin italian.
Kritikat më të forta janë drejtuar ndaj sistemit gjyqësor, i cili akuzohet për vendime të politizuara dhe për bllokimin procedural të transferimeve. Një pjesë e opinionit publik dhe e politikës së djathtë në Itali fajëson gjithashtu të majtën, duke e akuzuar se mbron politika emigracioni që bien ndesh me interesin kombëtar dhe sigurinë publike.
Sipas këtyre qëndrimeve, pengimi i përdorimit të plotë të qendrave të ndërtuara në Shqipëri shihet si një sabotim i qëllimshëm i marrëveshjes dypalëshe dhe si një sinjal i gabuar ndaj luftës kundër emigracionit të paligjshëm.
Ndërkohë, autoritetet italiane nuk kanë dhënë ende një qëndrim të detajuar mbi arsyet konkrete ligjore që çuan në kthimin e këtyre personave, ndërsa debati pritet të thellohet në ditët në vijim, si në planin politik ashtu edhe në atë institucional.
