
SPAK kërkon 32 vite burg, mbrojtja flet për prova të fabrikuara, vendimi pritet më 21 janar
Në Gjykatën e Posaçme është zhvilluar këtë të hënë seanca gjyqësore ndaj Leonard Dukës, për të cilin SPAK ka kërkuar dënimin me 32 vite burg, nën akuzën për përfshirje në vrasjen e Santiago Malkos.
Seanca është shoqëruar me tensione të forta emocionale, pasi nëna e viktimës ka bërë deklarata të rënda në sallën e gjyqit, duke kërkuar dënimin me vdekje për të pandehurin. Ajo e ka akuzuar drejtpërdrejt Leonard Dukën si autor të vrasjes së djalit të saj, duke deklaruar se është mashtruar më herët dhe se krimi është kryer hapur në mes të rrugës.
Nga ana tjetër, mbrojtja e Leonard Dukës ka hedhur poshtë të gjitha akuzat. Avokatja Melina Gjeta ka deklaruar se procesi hetimor është i paplotë dhe i paragjykuar, duke theksuar se sipas saj nuk ekzistojnë prova të drejtpërdrejta, por vetëm deduksione të ndërtuara mbi materiale mediatike dhe dëshmi të marra nën presion.
Në deklarimet e saj, avokatja ka vënë në dyshim vlefshmërinë e dëshmive të përdorura nga prokuroria, si dhe ka kundërshtuar përdorimin e transkripteve të komunikimeve në aplikacionin Sky, duke i cilësuar ato si të paligjshme dhe në shkelje të fshehtësisë së korrespondencës.
Vetë Leonard Duka është shprehur para trupit gjykues se është i pafajshëm, duke pretenduar se çështja ndaj tij është e montuar dhe se nuk ka asnjë fakt konkret që e lidh me ngjarjen. Ai ka deklaruar besim te drejtësia dhe ka mohuar përdorimin e aplikacionit Sky.
Gjyqi po ndiqet me vëmendje të lartë publike, ndërsa vendimi i Gjykatës së Posaçme pritet të shpallet më 21 janar, në orën 11:45.
