
Operacioni Relay 3 zbulon rrugën ilegale nga Tirana drejt Kosovës, sekvestrohet automjeti dhe celularë
Një 31-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi dyshohet se ishte i përfshirë në transportimin e emigrantëve të paligjshëm me destinacion vendet e Bashkimit Evropian. I arrestuari është identifikuar si Kreshnik Gaxha, banues në Kukës.
Sipas autoriteteve, ai u kap në flagrancë në rrugën e vjetër të Rinasit, teksa po transportonte drejt Kukësit gjashtë shtetas nga Egjipti, të cilët synonin të kalonin ilegalisht fillimisht në Kosovë dhe më pas në vendet e BE-së. Gjatë operacionit u sekuestrua automjeti me të cilin lëviznin emigrantët, si edhe dy aparate celularë.
Arrestimi u bë në kuadër të operacionit të koduar Relay 3, i finalizuar pas një muaji hetimesh të ndjekura me metoda speciale nga Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
