
Studimi i ri nga Johns Hopkins tregon se një pilulë e krijuar për Alzheimerin mund të ulë peshën ndjeshëm, pa dietë dhe pa palestër
Obeziteti mbetet një nga problemet më të mëdha shëndetësore globale, duke rritur ndjeshëm rrezikun për sëmundje të zemrës, diabet tip 2, goditje në tru dhe disa forma kanceri. Pavarësisht përmasave të krizës, trajtimet e sigurta dhe efektive për obezitetin e rëndë janë ende të pakta.
Së fundmi, shkencëtarët e Johns Hopkins Medicine kanë nxjerrë në pah një zbulim surprizues: një ilaç që më parë kishte dështuar në trajtimin e Alzheimerit, skizofrenisë dhe anemisë drapërocitare, mund të shndërrohet në një armë të fuqishme kundër obezitetit.
Studimi, i udhëhequr nga Dr. David Kass dhe i publikuar në Journal of Clinical Investigation, fokusohet te një proteinë e quajtur PDEDE9, e cila luan rol kyç në rregullimin e proceseve kimike që lidhen me energjinë dhe funksionin e zemrës. Duke bllokuar këtë proteinë, studiuesit vunë re ulje të ndjeshme të obezitetit, reduktim të yndyrës në mëlçi dhe përmirësim të shëndetit të zemrës.
Rezultatet më befasuese erdhën nga eksperimentet me minj: ata humbën peshë dhe u bënë më të shëndetshëm pa ngrënë më pak dhe pa ushtruar më shumë. Pra, ndryshimi ndodhi vetëm falë veprimit të ilaçit.
Ideja për këtë studim lindi që në vitin 2015, kur të njëjtët shkencëtarë zbuluan se proteina PDE9 përkeqësonte problemet kardiake tek personat me tension të lartë. Kjo ngriti dyshimin se bllokimi i saj mund të ndihmonte edhe në sëmundjet e lidhura me obezitetin.
Ilaçi i përdorur është një inhibitor i PDE9 dhe vepron në mënyrë të ngjashme me Viagra-n, e cila bllokon proteinën PDE5. Të dyja ndikojnë në një substancë kimike të quajtur cyclic GMP, thelbësore për shumë funksione jetike të organizmit.
Shifrat janë alarmante: mbi 40% e të rriturve në SHBA vuajnë nga obeziteti, ndërsa tek gratë mbi 60 vjeç kjo shifër arrin në rreth 43%. Nëse efekti i vërejtur te minjtë përsëritet edhe tek njerëzit, një person me peshë rreth 113 kg mund të humbasë afro 23 kg vetëm duke marrë ilaçin, pa ndryshuar stilin e jetesës.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se nevojiten ende studime dhe prova klinike për të garantuar sigurinë dhe efikasitetin te njerëzit. Nëse rezultatet konfirmohen, ky zbulim mund të shënojë një kthesë historike në trajtimin e obezitetit.
