
BE paralajmëron masa ndëshkuese ndaj mallrave amerikane dhe shqyrton aktivizimin e mekanizmit anti-shantazh ekonomik
Bashkimi Europian po përgatit një paketë masash ndëshkuese ndaj Shteteve të Bashkuara, me tarifa që arrijnë vlerën e rreth 100 miliardë dollarëve, si kundërpërgjigje ndaj kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Tramp për vendosjen e tarifave ndaj vendeve europiane që mbështesin Groenlandën.
Sipas raportimeve të mediave perëndimore, zyrtarët e BE-së kanë hartuar një listë mallrash amerikane me vlerë 93 miliardë euro që mund të goditen me tarifa, për t’i dhënë Unionit avantazh negociues përpara takimeve me Trump gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, që nis më 19 janar.
Kriza lidhet me pretendimet e Tramp për të marrë nën kontroll Groenlandën, territor autonom i Danimarkës, të cilin Shtëpia e Bardhë e konsideron me rëndësi strategjike për sigurinë kombëtare amerikane. Administrata amerikane ka paralajmëruar se do të vendosë tarifa ndaj importeve nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Holanda dhe Finlanda, nëse këto vende vazhdojnë të kundërshtojnë planet amerikane.
Tarifat amerikane pritet të hyjnë në fuqi më 1 shkurt, fillimisht me një normë prej 10%, ndërsa në rast të mungesës së një marrëveshjeje, ato mund të rriten deri në 25% brenda muajit qershor.
Ndërkohë, brenda BE-së po diskutohet edhe një hap më i ashpër: aktivizimi i Instrumentit Anti-Koercion, një mekanizëm i miratuar në vitin 2023, që i lejon Unionit të reagojë ndaj shantazhit ekonomik nga vende të treta. Ky instrument parashikon masa të gjera, nga tarifa dhe kufizime në tenderë publikë, deri te ndalime në investime, shërbime dhe të drejta pronësie intelektuale.
Një diplomat europian, i cituar nga Financial Times, i cilësoi kërcënimet e Tramp si “metoda mafioze”, duke shtuar se BE ka “instrumente të qarta hakmarrjeje” nëse presioni amerikan vazhdon. Megjithatë, disa shtete anëtare preferojnë të lënë ende hapësirë për negociata, ndërsa vende si Franca kërkojnë reagim të menjëhershëm.
Përplasja për Groenlandën konsiderohet një nga krizat më serioze transatlantike të dekadave të fundit, duke vënë në pikëpyetje marrëdhëniet tregtare BE–SHBA dhe unitetin brenda NATO-s, në një moment kur Arktiku po kthehet në një zonë kyçe rivaliteti mes fuqive të mëdha globale.
