
Konflikti mes dy drejtuesve të automjeteve dyshohet se degradoi në përplasje fizike, njëri prej tyre goditet për vdekje në kokë
Një ngjarje e rëndë është regjistruar pas mesnatës në aksin rrugor Krujë–Mamurras, ku një konflikt mes dy drejtuesve të automjeteve ka përfunduar me humbjen e jetës së një personi.
Sipas të dhënave paraprake, dy automjetet janë përplasur fillimisht, ndërsa më pas drejtuesit e tyre janë përfshirë në një konflikt fizik. Si pasojë, Petrit Ndou, banues në Pukë, ka humbur jetën pasi ka pësuar një plagë të rëndë në kokë.
Në vendngjarje është gjetur edhe një çekiç, ndërsa dyshohet se viktima është goditur në kokë me këtë mjet nga një 28-vjeçar me inicialet A.V., banues në Mamurras. I riu është shoqëruar në ambientet e policisë, ndërsa po merren dëshmitë e personave që ndodheshin në zonë në momentin e ngjarjes.
Policia po vijon hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të konfliktit dhe për të dokumentuar ligjërisht këtë ngjarje të rëndë që tronditi zonën.
