
Këshilltari kryesor i mbrojtjes së Rusisë kërcënon me armë bërthamore, Evropa sipas tij do të shkatërrohej fizikisht
Frika për një përshkallëzim global të konfliktit po rritet në Evropë dhe Mbretërinë e Bashkuar, pas deklaratave të forta nga figura të larta ruse që kanë rikthyer në skenë skenarin e Luftës së Tretë Botërore. Paralajmërimet e fundit kanë nxitur thirrje që qytetarët britanikë të përgatiten për emergjenca, përfshirë krijimin e një “pakete mbijetese 72-orëshe”.
Shkak për alarm është bërë deklarata e Sergey Karaganov, kreu i Këshillit për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtje të Rusisë, i cili ka pohuar se nëse Moska përballet me disfatë në Ukrainë, do të përdorë armë bërthamore. Sipas tij, në një skenar të tillë, Evropa do të ishte e shkatërruar fizikisht. Ai ka shtuar se Rusia do të detyrohej të ndëshkonte rëndë vendet europiane që vazhdojnë të mbështesin Kievin.
Këto deklarata vijnë pas një vale sulmesh të mëdha ruse me dronë dhe raketa në Ukrainë, përfshirë përdorimin e raketës hipersonike Oreshnik, e aftë për mbajtje bërthamore. Paralajmërimet janë përhapur me shpejtësi në opinionin publik britanik, duke rritur frikën për një përplasje të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe vendeve të NATO-s.
Në këtë klimë tensioni, qeveritë europiane po shtojnë thirrjet për përgatitje civile. Disa vende si Suedia, Finlanda dhe Norvegjia kanë shpërndarë udhëzues zyrtarë për mbijetesë në raste krize apo lufte, duke këshilluar qytetarët të sigurojnë ushqim, ujë dhe pajisje bazë për disa ditë. Edhe Komisioni Europian ka rekomanduar që qytetarët e BE-së të kenë rezerva thelbësore për të paktën 72 orë.
Ekspertë të sigurisë në Britani kanë sugjeruar që Londra të ndjekë të njëjtin shembull, duke përgatitur popullsinë për skenarë ekstremë. Sipas tyre, kërcënimet bërthamore, lufta kibernetike dhe manipulimi i informacionit janë tashmë pjesë e realitetit të ri të sigurisë në Europë.
Situata përkon edhe me tensione të shtuara politike, pas deklaratave dhe veprimeve të presidentit amerikan Donald Trump, të cilat kanë tronditur marrëdhëniet transatlantike. Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer është shprehur se Mbretëria e Bashkuar duhet të jetë e përgatitur për çdo skenar, duke theksuar rëndësinë e sigurisë kombëtare dhe rezistencës civile.
Ndërsa diplomacia vijon përpjekjet për të shmangur një përshkallëzim katastrofik, paralajmërimet e fundit tregojnë se frika nga një konflikt global nuk është më thjesht teori, por një shqetësim real që po ndikon drejtpërdrejt në politikat dhe jetën e përditshme të qytetarëve europianë.
