
Xhokeu humbi kontrollin pas përplasjes së kuajve dhe u godit nga një tjetër kalë në garën në Filipine
Një ngjarje tragjike ka tronditur botën e garave me kuaj, pasi xhokeu 32-vjeçar Elvin Abrea ka ndërruar jetë pas një aksidenti të rëndë gjatë një gare në Filipine.
Incidenti ndodhi të shtunën, gjatë një gare të zhvilluar në Padre Garcia, në pistën e vetme të garave me kuaj në vend, në kuadër të aktivitetit të organizuar nga Philippine Jockey Club. Abrea po garonte me kalin Fly With The Wind, kur gjatë një momenti rivaliteti në grup, kali i tij dyshohet se preku këmbët e pasme të një kali tjetër përpara, duke humbur ekuilibrin.
Si pasojë, xhokeu u rrëzua në pistë. Vetëm pak çaste më vonë, një tjetër kalë që po vinte me shpejtësi nga pas nuk arriti të shmangte trupin e tij dhe e goditi rëndë. Plagët e marra rezultuan fatale dhe autoritetet konfirmuan më pas vdekjen e 32-vjeçarit.
Në raportin zyrtar të stevardëve të garës thuhet se incidenti ndodhi rreth pikës së 1000 metrave, kur Fly With The Wind preku këmbët e kalit Magnolia Ariana, i drejtuar nga një tjetër xhoke. Ky i fundit deklaroi se nuk kishte ndjerë asgjë të pazakontë dhe se kali i tij po lëvizte normalisht.
Klubi i Xhokejve të Filipineve reagoi me një deklaratë zie, duke shprehur ngushëllimet për familjen, miqtë dhe komunitetin e garave. Në mesazhin e tyre, Abrea u përshkrua si një sportist i përkushtuar, i guximshëm dhe me pasion të madh për këtë sport.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në botën e hipizmit dhe ka rihapur diskutimet mbi sigurinë e xhokejve gjatë garave, një sport që mbetet ndër më të rrezikshmit në nivel profesional.
