
Kuqezinjtë e nisin vitin 2026 në të njëjtin pozicion, ndërsa Dardanët shënojnë përmirësim të lehtë në klasifikimin botëror
FIFA ka bërë publike renditjen e parë zyrtare të kombëtareve për vitin 2026. Shqipëria e nis vitin e ri futbollistik pa ndryshime në pozicion, duke u renditur në vendin e 63-të në botë, i njëjti klasifikim me atë të fundit të vitit 2025.
Ndërkohë, një lajm pozitiv vjen për Kosovën. Kombëtarja e Dardanëve ka fituar një pozicion në renditje, duke u ngjitur nga vendi i 80-të në atë të 79-të në shkallë botërore, falë rezultateve të fundit dhe pikëve të grumbulluara.
Lëvizjet më të mëdha në këtë renditje janë regjistruar nga dy ekipet finaliste të Kupës së Kombeve të Afrikës. Senegali ka shënuar një ngjitje të ndjeshme me shtatë vende, duke u pozicionuar aktualisht në vendin e 12-të, ndërsa Maroku është përmirësuar me tre vende dhe renditet tani i 8-ti në botë.
Sa i përket dhjetëshes së parë të renditjes globale, nuk ka asnjë ndryshim krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Spanja kryeson listën botërore, e ndjekur nga Argjentina dhe Franca. Më pas renditen Anglia, Brazili, Portugalia, Holanda, Maroku, Belgjika dhe Gjermania, e cila mbyll Top 10-shen e FIFA-s.
