
Kryeministri Mark Carney reagon nga Davosi pasi Tramp publikoi një imazh me AI ku Kanadaja shfaqet si pjesë e SHBA
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, ka deklaruar se vendi i tij qëndron fuqishëm në krah të Groenlandës dhe Danimarkës, mes tensioneve në rritje me Shtetet e Bashkuara lidhur me planet e presidentit amerikan për marrjen nën kontroll të Groenlandës.
Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Carney theksoi se Kanadaja mbështet plotësisht të drejtën unike të Groenlandës për të vendosur vetë për të ardhmen e saj. Sipas tij, respektimi i sovranitetit dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla është thelbësor në një moment kur fuqitë e mëdha po përdorin gjithnjë e më shumë forcën ekonomike si mjet presioni politik.
Reagimi i Carney vjen pasi presidenti amerikan Donald Tramp publikoi në rrjetin Truth Social një imazh të gjeneruar me inteligjencë artificiale, ku shfaqej përpara një harte të Shteteve të Bashkuara që përfshinte Groenlandën, Kanadanë dhe Venezuelën si pjesë të territorit amerikan. Ky veprim është interpretuar si një provokim i drejtpërdrejtë ndaj aleatëve tradicionalë të SHBA.
Carney paralajmëroi se Kanadaja ishte ndër vendet e para që kuptoi se po ndodhte një ndryshim themelor në rendin global. Ai pranoi se vendi i tij ka përfituar për dekada nga hegjemonia amerikane, por shtoi se tani është e domosdoshme një përshtatje e re, ku fuqitë e mesme duhet të bashkëpunojnë për të mbrojtur interesat e tyre. “Nëse nuk jemi në tryezë, atëherë jemi në menu”, u shpreh ai.
Ndërkohë, edhe Evropa ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të Tramp. Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi në Davos se Franca preferon respektin dhe bashkëpunimin, jo presionin dhe frikësimin, duke iu referuar kërcënimeve amerikane me tarifa.
Marrëdhëniet mes SHBA dhe Bashkimit Europian janë përkeqësuar ndjeshëm pasi Tramp rikonfirmoi synimin për të blerë Groenlandën, duke e cilësuar ishullin arktik si jetik për sigurinë kombëtare dhe globale. Ai ka paralajmëruar tarifa 10 për qind ndaj disa vendeve europiane që kundërshtojnë këtë plan, me rritje deri në 25%në qershor 2026, nëse nuk arrihet një marrëveshje.
Në këtë klimë tensioni, deklarata e Kanadasë shihet si një sinjal i fortë mbështetjeje për Danimarkën dhe Groenlandën, si dhe një kundërpeshë e qartë ndaj ambicieve amerikane që po tronditin aleancat perëndimore.
