
23-vjeçarja u kap në marrëdhënie seksuale me dy të dënuar në burgun Coldingley, ndërsa shokët e tyre shërbenin si roje
Një ish-oficere burgu në Mbretërinë e Bashkuar është dënuar me tre vjet e gjysmë burg pasi u shpall fajtore për shkelje të rënda të detyrës, përfshirë marrëdhënie seksuale me të burgosur dhe futje të lëndëve narkotike brenda institucionit të vuajtjes së dënimit.
Isabelle Dale, 23 vjeçe, u dënua nga Gjykata e Kurorës në Southwark, pasi hetimet zbuluan se ajo kishte krijuar marrëdhënie intime me dy të dënuar në burgun HMP Coldingley, në Surrey. Një nga episodet ndodhi në ambientet e dhomës së lutjeve të burgut, ku, sipas prokurorisë, dy të burgosur të tjerë shërbyen si roje për të shmangur zbulimin.
Sipas gjykatës, Dale kishte një lidhje seksuale me Shahid Sharif, 33 vjeç, i dënuar për grabitje, si dhe me Connor Money, 28 vjeç, i dënuar me nëntë vite burg për vrasjen e shokut të tij gjatë një ndjekjeje policore.
Hetimet zbuluan gjithashtu se Dale kishte tentuar të fuste në burg drogë sintetike të njohur si Spice. Gjatë kontrollit të makinës së saj, policia gjeti pajisje për kontrabandimin e drogës, përfshirë letër karboni që përdoret për të shmangur zbulimin nga skanerët e sigurisë.
Prokuroria paraqiti prova të shumta, përfshirë mesazhe intime, letra dashurie dhe fotografi provokuese, disa prej të cilave ishin të lyer me Spice. Dale kishte madje tatuazh pseudonimin e njërit prej të dënuarve dhe mbante një unazë premtimi që, sipas saj, e kishte blerë për të dëshmuar “besnikërinë”.
Gjykatësi e cilësoi sjelljen e saj si shkelje shumë të rëndë të besimit publik dhe të sigurisë së burgut, duke theksuar se veprimet e saj kishin kompromentuar integritetin e sistemit penitenciar.
Isabelle Dale u shpall fajtore për dy akuza të shpërdorimit të funksionit publik dhe një akuzë për komplot për futjen e sendeve të ndaluara në burg. Rasti ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik në Britani, duke ngritur shqetësime serioze mbi kontrollin dhe sigurinë brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit.
