
Rritje e pazakontë e pranisë ushtarake amerikane, daneze dhe të NATO-s në Arktik, mes tensioneve për ambicien e Donald Tramp ndaj Groenlandës
Tensionet rreth Groenlandës po hyjnë në një fazë të re shqetësuese, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Danimarka kanë rritur ndjeshëm gatishmërinë dhe praninë ushtarake në rajonin arktik. Sipas raportimeve ndërkombëtare, një përplasje e kufizuar e armatosur nuk përjashtohet nëse negociatat mes Uashingtonit, Kopenhagenit dhe autoriteteve të Groenlandës dështojnë.
Pentagoni ka vendosur në gatishmëri rreth 1 500 ushtarë aktivë nga dy batalione të Divizionit të 11-të Ajror, njësia kryesore e ushtrisë amerikane e trajnuar për luftë në kushte ekstreme arktike. Trupat janë të dislokuara në Alaskë, në bazat Joint Base Elmendorf–Richardson dhe Fort Wainwright. Zyrtarisht, SHBA deklaron se kjo masë lidhet me një mision të mundshëm brenda territorit amerikan, por analistët e mbrojtjes dyshojnë se gatishmëria lidhet drejtpërdrejt me skenarin e Groenlandës.
Administrata amerikane këmbëngul se nuk bëhet fjalë për përgatitje lufte, megjithatë fakti që bëhet fjalë për trupa të specializuara në operacione arktike ka shtuar dyshimet se Uashingtoni po dërgon një sinjal presioni politik dhe ushtarak, në përputhje me ambicien e presidentit Donald Tramp për të marrë kontroll mbi Groenlandën.
Nga ana tjetër, Danimarka ka reaguar duke rritur praninë e saj ushtarake në territorin autonom. Mbi 100 ushtarë danezë janë dërguar në Groenlandë, ku një pjesë e tyre kanë mbërritur në Kangerlussuaq në kuadër të operacionit “Arctic Endurance”. Forcat daneze janë të angazhuara në mbrojtjen e infrastrukturës kritike, patrullime dhe mbështetje për autoritetet vendore, duke theksuar se dislokimi ka karakter mbrojtës dhe lidhet me ruajtjen e sovranitetit.
Situata është ndërlikuar më tej nga përfshirja e NATO-s dhe NORAD-it. Aleanca Atlantike ka intensifikuar stërvitjet dhe aktivitetet në Arktik, me pjesëmarrjen e vendeve si Gjermania, Franca, Norvegjia, Suedia, Britania e Madhe dhe Holanda. Ndërkohë, NORAD po vazhdon operacionet nga baza Pituffik, duke përfshirë misione të mbrojtjes ajrore, paralajmërimit raketor dhe mbikëqyrjes.
Edhe pse të gjitha palët këmbëngulin se këto lëvizje janë rutinë dhe të planifikuara prej kohësh, niveli aktual i përqendrimit ushtarak konsiderohet i pazakontë për një rajon që tradicionalisht ka qenë i qetë. Analistët paralajmërojnë se, në mungesë të një marrëveshjeje politike në Davos ose në vijim, rreziku i një përshkallëzimi të kontrolluar ushtarak mbetet real.
Ndërsa retorika zyrtare mohon çdo skenar lufte, faktet në terren tregojnë se SHBA, Danimarka dhe aleatët e tyre po përgatiten për çdo eventualitet, duke e kthyer Groenlandën në një nga pikat më të nxehta gjeopolitike të momentit.
