
Presidenti francez shfaq qëndrim të ashpër ndaj SHBA-së, ndërsa Tramp publikon mesazhe private dhe shton presionin për Groenlandën
Marrëdhëniet mes Francës dhe Shteteve të Bashkuara kanë hyrë në një fazë të re tensioni, pasi presidenti amerikan Donald Tramp publikoi në rrjetet sociale një mesazh privat të dërguar nga homologu i tij francez, Emanuel Makron, lidhur me propozimin për një takim të G7 pas Forumit Ekonomik Botëror në Davos.
Sipas analizave të mediave ndërkombëtare, publikimi i këtij komunikimi privat është parë si një veprim provokues nga ana e Trampit, duke e kthyer Makronin në një nga objektivat kryesore të kritikave të presidentit amerikan. Makron, i cili deri tani ka tentuar të balancojë mes dialogut dhe qëndrimit të fortë, ka ndryshuar ton publikisht, duke theksuar në Davos se Evropa duhet të zgjedhë respektin dhe jo imponimin në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Në fjalën e tij në Forumin Ekonomik Botëror, presidenti francez u shpreh se Bashkimi Evropian duhet të jetë gati të përdorë instrumente mbrojtëse tregtare për t’iu përgjigjur presionit dhe agresivitetit të panevojshëm, një referencë e drejtpërdrejtë ndaj kërcënimeve amerikane për tarifa dhe ndaj ambicies së Trampit për të marrë nën kontroll Groenlandën.
Sipas vëzhgimeve të mediave si Politico dhe Le Temps, Makron ka tentuar më herët të ruajë një qasje diplomatike, duke theksuar pikat e përbashkëta me Uashingtonin, veçanërisht në çështje ndërkombëtare si Siria, ndërsa ka shmangur përplasjet e drejtpërdrejta. Megjithatë, publikimi i mesazhit privat nga Trampi ka prishur këtë ekuilibër dhe ka ekspozuar hapur përplasjen mes dy liderëve.
Analistët vlerësojnë se kjo situatë pasqyron ndryshimet e thella në rendin gjeopolitik dhe mënyrën se si liderët evropianë po përballen me presionin amerikan. Ndërsa Trampi vijon të përdorë taktika publike presioni dhe provokimi, Makron duket i vendosur të forcojë qëndrimin e Francës dhe të Bashkimit Europian, duke e shndërruar Groenlandën dhe tarifat tregtare në një test të ri për marrëdhëniet transatlantike.
