Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar sot masat e sigurisë ndaj gjashtë punonjësve të policisë dhe një shtetasi, të dyshuar si të përfshirë në organizimin dhe favorizimin e basteve sportive.
Operacioni në fjalë u kodua “Last Bet” dhe u organizua nga AMP-ja e Elbasanit. Mësohet se dy policisë janë arrestuar si pasojë e hetimit, ndërsa katër të tjerë janë me masën e sigurisë detyrim paraqitje. Në pranga përfundoi edhe një qytetar nga Tirana.
Sakaq, hetimet zbulojnë komunikime të detajuara në aplikacionin “WhatsApp”, që dokumentojnë aktivitetin kriminal.
Mes bisedave më pikante të sekuestruara nga celularët e dyshuarve përfshihen mesazhe si më poshtë:
Mesazhi A: Përveç pjesës që është 50/50, ka edhe % për lijen dhe 20% për fitimet.
Mesazhi B: Mu do me japësh 405, t’ja coj atij 200, time mbaje se është e jotja, se pata marrë 200 për kushon.
Mesazhi C: Argjentina 2/3 plus, Mexica 2/plus, 70 mijë lek.
Mesazhi D: Mos na ven skedina fituese, o boss, ta marrim të qet atë %.
Mesazhi E: Unë kam luajtur nja dy ndeshje sot, mbrapsht kam kapur 4 skedina.
Mesazhi F: Ti je pronari nr. 1… nesër duhet me dorëzu lekët e llotos.
Mesazhi G: Ke edhe ti 1 mili e 50… 50 jan të këtij muaji, që kemi hyrë.
Mesazhi H: E i kam lekët, po i kam thënë atij shokut që ia kam marrë kur i qova 2.2 milion.
Mesazhi J: Jam 3.7 plus, nuk dua me i prek më.
Siç duket, në vend që të luftonin bixhozin e paligjshëm, duket se policët ishin kthyer vetë në “kumarxhinj të thekur”, duke hyrë edhe në borxhe.
Bisedat tregojnë qartë koordinimin e basteve sportive, ndarjen e fitimeve, përdorimin e “skedinave fituese” dhe menaxhimin e shumave të mëdha parash midis punonjësve të policisë.
Sipas hetimeve, dy punonjës policie dyshohet se kanë organizuar dhe ushtruar veprimtarinë e paligjshme, ndërsa njëri prej tyre ndodhet në arrest me burg për akuza të tjera, përfshirë shtrëngimin me kanosje dhe trafikim narkotikësh.
Në kuadër të operacionit “Last Bet”, AMP ekzekutoi masa sigurie ndaj 6 punonjësve të policisë dhe 1 shtetasi: Redon Tafilaku, Enea Kapllani, Ilir Tafa, Denis Sinani, Aldi Molla, Gëzim Beqiraj dhe E.D., për përfshirje në lojëra të palejuara dhe shfrytëzim të detyrës.
