Aktori i njohur, Mevlan Shanaj, ka ngritur një shqetësim serioz mbi një absurditet burokratik në Shqipëri, ku pensionistët janë të detyruar të paraqiten personalisht në bankë dy herë në vit për të deklaruar se janë ende gjallë.
Përmes një postimi ironik, Shanaj tregon përvojën e tij personale:
“Shkoj të tërheq para nga bankomati dhe shoh që nuk kisha aq sa doja të tërhiqja. U kujtova se nuk kisha vajtur në bankë t’u them se jam ende gjallë!”
Sipas aktorit, kjo procedurë është jo vetëm absurde, por edhe fyese për moshën e tretë, pasi në Shqipëri askush nuk mund të shpallet i vdekur pa dokumente zyrtare nga bashkia.
“Pensionistët duhet të venë dy herë në vit të deklarojnë se janë gjallë! Nuk e kuptoj këtë absurd, sepse në këtë vend nuk mund të përcillesh në atë botë pa certifikatë bashkie!”, shkruan ai.
Shanaj shtron edhe një pyetje logjike: pse bankat nuk bashkëpunojnë drejtpërdrejt me institucionet shtetërore për të përditësuar automatikisht të dhënat?
