
Xhaxhai i Aleks Nikës thotë se familjarët nuk kërkojnë hakmarrje, por zbardhje të plotë të përgjegjësive dhe besojnë te institucionet e reja të drejtësisë
Familja e Aleks Nikës, një prej protestuesve që humbën jetën gjatë ngjarjeve tragjike të 21 janarit 2011, vijon të kërkojë drejtësi edhe pas kaq vitesh. Xhaxhai i tij, Mark Nika, deklaroi se qëndrimi i familjarëve ka qenë dhe mbetet i njëjtë: jo hakmarrje, por përgjegjësi ligjore dhe e vërtetë e plotë.
Sipas Mark Nikës, familjarët e viktimave vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe shprehin besim te institucionet e reja të drejtësisë, në veçanti te SPAK, si dhe te Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Ai theksoi se çdo vit familjarët mblidhen për të kujtuar Aleks Nikën dhe viktimat e tjera të 21 janarit, duke shpresuar që zëri i tyre të mos shuhet dhe të dëgjohet edhe nga partnerët dhe vendet aleate të Shqipërisë. Sipas tij, përfaqësues diplomatikë kanë dhënë garanci se do të mbështesin përpjekjet për drejtësi dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Mark Nika nënvizoi se përgjegjësia për atë që ndodhi nuk mund të fshihet dhe as të harrohet, duke shtuar se familjarët do të vazhdojnë të ndjekin çdo rrugë ligjore deri në vendosjen e drejtësisë së plotë.
