
I pajisur me urdhër mbrojtjeje, por vijoi përndjekjen; policia e kap në lokal
Policia e Lezhës ka arrestuar një 39-vjeçar, me iniciale A.A., i cili kishte thyer masën e sigurimit Arrest në shtëpi dhe kishte vijuar përndjekjen ndaj ish-bashkëjetueses së tij.
Sipas njoftimit zyrtar, ndaj 39-vjeçarit ishte vendosur më herët masa e arrestit në shtëpi për veprën penale të përndjekjes, si dhe një urdhër mbrojtjeje në favor të ish-bashkëjetueses. Pavarësisht kësaj, ai dyshohet se ka vazhduar sjelljen e kundërligjshme.
Arrestimi u krye në ambientet e një lokali, pas kallëzimit të bërë nga ish-bashkëjetuesja, e cila raportoi përndjekje të vazhdueshme. Pas sinjalizimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Mbështetjes Operacionale, organizuan një ndërhyrje të shpejtë.
Gjatë kontrollit, në automjetin e tij u gjet dhe u sekuestrua një shufër hekuri. Po ashtu, u sekuestruan celulari dhe automjeti, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në hetimin e mëtejshëm.
Materialet procedurale i janë referuar prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
