
Operacioni “Anëtarët” çon në arrestimin e tre personave me precedentë penalë, sekuestrohen 5 armë zjarri dhe municion luftarak
Policia e Tiranës ka goditur një grup kriminal që merrej me shitjen e armëve të zjarrit në zona të ndryshme të kryeqytetit, kryesisht në Tufinë dhe në Fresk. Si rezultat i operacionit, janë arrestuar tre persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Në pranga kanë rënë shtetasit Artur Brahimaj, Ilir Zyberi dhe Artur Rushiti, të tre me precedentë penalë. Dy prej tyre u kapën në flagrancë në zonën e Tufinës, teksa tentonin të shisnin dy armë zjarri kallashnikov.
Operacioni i koduar “Anëtarët” u finalizua pas hetimeve tre mujore të kryera me metoda proaktive nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe nën drejtimin e Prokuroria e Tiranës.
Sipas policisë, gjatë operacionit janë sekuestruar gjithsej pesë armë zjarri dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se do të shiteshin në zonat e Tufinës dhe Freskut. Një shtetas tjetër, me iniciale E.S., 28 vjeç, është shpallur në kërkim si i dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari kriminale.
Nga hetimet paraprake dyshohet se grupi funksiononte në mënyrë të organizuar, duke furnizuar me armë zjarri persona të ndryshëm në kryeqytet. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.
