
Pas homazheve për 21 Janarin, Mark Nika kërkon sqarime për vijimin e hetimeve dhe shpreh zhgënjimin për mungesën e drejtësisë pas 15 vitesh
Pas përfundimit të homazheve për katër protestuesit e vrarë më 21 janar 2011, Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, është paraqitur në ambientet e SPAK, ku ka kërkuar zyrtarisht një takim me prokurorin e çështjes, Alfred Shehu.
Sipas deklarimeve të tij, Mark Nika ka kërkuar sqarime dhe informacion mbi vijimin e hetimeve për ngjarjen tragjike të 21 janarit, duke theksuar se familjarët e viktimave vijojnë të ndihen të zhgënjyer nga mungesa e një përgjigjeje të qartë ligjore edhe pas 15 vitesh.
Ai u shpreh se përgjatë viteve kjo çështje është shoqëruar më shumë me retorikë dhe përdorim politik, sesa me vendime konkrete që të çojnë drejt përgjegjësisë penale për vrasjet e ndodhura gjatë protestës. Sipas tij, drejtësia për viktimat ka mbetur peng i interesave politike dhe mungesës së vullnetit institucional.
Mark Nika theksoi se shpresa e vetme për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për vendosjen e drejtësisë mbetet SPAK, duke kërkuar që hetimet të zhvillohen në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe pa asnjë ndikim politik, në mënyrë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë dhe çështja e 21 janarit të mos mbetet e pazgjidhur.
