
Avokatja depoziton prova të reja dhe akuzon institucionet për mosveprim, ndërsa kërkon pezullim dhe shkarkim të gjyqtares së GJKKO-së
Avokatja Adriana Kalaja ka dalë me deklarata të forta para SPAK, duke akuzuar gjyqtaren e Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Irena Gjoka, se ka refuzuar të deklarojë dënimin e saj penal në Greqi në të paktën tre raste gjatë plotësimit të formularëve të vetëdeklarimit.
Sipas Kalasë, dokumente autentike të ardhura nga autoritetet greke konfirmojnë se Gjoka është dënuar me burg dhe është dëbuar nga Greqia, fakte që ajo, sipas avokates, i ka mohuar vazhdimisht në deklarimet zyrtare. Kalaja theksoi se mosdeklarimi nuk lidhet vetëm me dënimin penal, por edhe me ndjekjen penale dhe dy dëbime të ndodhura në vitet 2002 dhe 2003.
Avokatja deklaroi se këto dokumente janë administruar jo vetëm nga SPAK, por edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi mungesën e reagimit institucional.
Kalaja theksoi se bëhet fjalë për një shkelje të rëndë ligjore dhe një vepër penale të vazhdueshme, pasi refuzimi për të deklaruar dënimin dhe dëbimet është përsëritur në kohë. Ajo e krahasoi rastin me precedentë të mëparshëm në sistemin e drejtësisë, ku gjyqtarë dhe zyrtarë të lartë janë dënuar ose shkarkuar për shkelje të ngjashme.
Në deklaratën e saj, avokatja i bëri thirrje SPAK-ut të veprojë pa vonesa dhe KLGJ-së të marrë masa të menjëhershme, fillimisht me pezullimin dhe më pas me shkarkimin e gjyqtares nga detyra. Sipas saj, çdo zvarritje apo mosveprim do të rëndonte përgjegjësinë ligjore edhe mbi institucionet që kanë në dorë vendimmarrjen.
Kalaja paralajmëroi se nëse provohet se ka pasur shkelje të ligjit apo Kushtetutës nga ana e prokurorëve apo anëtarëve të KLGJ-së, edhe ata do të mbajnë përgjegjësi penale, duke theksuar se provat e depozituara në SPAK vërtetojnë jo vetëm dënimin në Greqi, por edhe dijeninë e plotë të gjyqtares për këtë fakt.
