
Qeveria Meloni pritet të refuzojë zyrtarisht nismën amerikane, duke e cilësuar një strukturë me rol dominues të SHBA-së dhe në kundërshtim me Kushtetutën italiane
Italia pritet të refuzojë ftesën për t’iu bashkuar Bordit të Paqes të propozuar nga presidenti amerikan Donald Tramp, duke e konsideruar këtë nismë në kundërshtim me parimet kushtetuese të vendit. Pengesa kryesore lidhet me nenin 11 të Kushtetutës italiane, i cili lejon pjesëmarrjen vetëm në organizma ndërkombëtarë që veprojnë në kushte barazie mes shteteve.
Sipas vlerësimit të Romës zyrtare, struktura e re e ideuar nga Tramp nuk garanton këtë parim, pasi parashikon një rol dominues të Shteteve të Bashkuara, duke u perceptuar si një lloj OKB-je private, ku anëtarësimi do të shoqërohej edhe me një tarifë hyrjeje prej 1 miliard dollarësh.
Ky është edhe shkaku kryesor që po e shtyn kryeministren Giorgia Meloni të mos firmosë anëtarësimin e Italisë në këtë këshill, i cili pritet të prezantohet zyrtarisht gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Edhe pse Meloni mund të jetë e pranishme në Davos për arsye marrëdhëniesh me Shtëpinë e Bardhë, ajo duket gjithnjë e më e bindur se Italia nuk mund të angazhohet në këtë nismë, pavarësisht aspektit financiar.
Një tjetër pengesë serioze lidhet me procedurat institucionale. Ratifikimi i traktateve ndërkombëtare kërkon miratim parlamentar, proces që nuk mund të realizohet në kohë, ndërsa Presidenca e Republikës do ta bllokonte menjëherë një akt të tillë, pikërisht duke iu referuar nenit 11 të Kushtetutës. Po ashtu, ekziston rreziku real që çështja të rrëzohet në Gjykatën Kushtetuese.
Në Palazzo Chigi po konsolidohet bindja se kjo nuk është një rrugë e përshkueshme, qëndrim i mbështetur edhe nga Forza Italia. Partia e Antonio Tajani e konsideron anëtarësimin një goditje për të drejtën ndërkombëtare, ndërsa edhe Liga është rreshtuar zyrtarisht me pozicionin e qeverisë, pavarësisht simpative individuale brenda saj për idenë e Trump-it.
Rezerva ka shprehur edhe ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto, veçanërisht për faktin se në listën e ftesave për këtë organizëm përfshihet edhe Vladimir Putin dhe se mandati i bordit nuk do të kufizohej vetëm te stabiliteti në Gaza.
Një refuzim i hapur nga Meloni ndaj Tramp do të kishte peshë të fortë politike dhe diplomatike, sidomos pas kritikave të saj të fundit ndaj paralajmërimeve amerikane për tarifa ndaj vendeve europiane që mbështesin Groenlandën. Nga deklaratat, çështja po kalon gradualisht në veprime konkrete.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, edhe kryeministri britanik Keir Starmer dhe Gjermania e drejtuar nga Friedrich Merz e shohin si të pamundur anëtarësimin në këtë bord në formën aktuale. Në Evropë, vetëm Hungaria dhe Shqipëria përmenden si vende ende të hapura ndaj nismës amerikane.
Palazzo Chigi nuk ka dhënë ende një qëndrim zyrtar përfundimtar, duke lënë të hapur mundësinë që Meloni të marrë pjesë në Davos vetëm si vëzhguese, pa firmosur asnjë marrëveshje, ose të mos marrë pjesë fare.
