
Presidentja e Komisionit Europian paralajmëron unitet dhe reagim të shpejtë ndaj presioneve amerikane, mes tensioneve për Groenlandën dhe tarifat tregtare
Presidentja e Komisioni Europian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se Evropa preferon dialogun dhe zgjidhjet diplomatike, por është plotësisht e përgatitur të veprojë nëse situata e kërkon, me unitet, urgjencë dhe vendosmëri.
Deklarata e saj vjen në kulmin e përshkallëzimit të tensioneve mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, pas paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Tramp për tarifa ndëshkuese dhe qëndrimeve të tij mbi Groenlandën. Von der Leyen theksoi se kërcënimet për tarifa shtesë të justifikuara me arsye sigurie janë të gabuara dhe në kundërshtim me parimet e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Ajo bëri të ditur se liderët europianë do të mblidhen për të diskutuar një përgjigje të përbashkët ndaj këtyre kërcënimeve, duke nënvizuar se Europa nuk do të qëndrojë pasive përballë presioneve ekonomike dhe politike. Sipas saj, Bashkimi Europian mbetet i hapur për dialog, por nuk do të hezitojë të mbrojë interesat e tij.
Në fjalën e saj, Von der Leyen pranoi se rendi ndërkombëtar ka pësuar një ndryshim të thellë dhe të përhershëm, duke theksuar se bota sot po karakterizohet gjithnjë e më shumë nga fuqia e zhveshur. Në këtë kontekst, ajo e cilësoi të domosdoshme që Europa të përshpejtojë rrugën drejt pavarësisë strategjike dhe të ndërtojë leva të reja ndikimi politik dhe ekonomik.
Qëndrimi i saj u përforcua edhe nga deklaratat e liderëve të tjerë europianë në Davos, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, i cili u shpreh se preferon sundimin e ligjit ndaj brutalitetit dhe respektin ndaj presionit të fortëve.
Tensionet aktuale kanë rikthyer në vëmendje edhe instrumentet e reagimit të BE-së, përfshirë mekanizmat për kundërpërgjigje tregtare në rast presioni nga fuqitë e jashtme. Mesazhi nga Davosi është i qartë: Evropa kërkon dialog, por është gati të mbrojë veten dhe të veprojë e bashkuar nëse përballet me kërcënime konkrete.
