
Kryeministri britanik akuzon presidentin e SHBA-së për shantazh politik dhe tarifa, ndërsa paralajmëron se Britania nuk do të lëkundet nga parimet e saj
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, ka mbajtur qëndrimin e tij më të ashpër publik deri më tani ndaj Donald Tramp, duke e akuzuar se po përpiqet ta vërë nën presion Londrën për çështjen e Groenlanda.
Në një deklaratë të fortë në Parlament, Starmer tha se komentet e fundit të Tramp nuk janë të rastësishme, por synojnë drejtpërdrejt ta detyrojnë Britaninë të zbusë qëndrimin e saj ndaj Groenlandës dhe të heqë dorë nga parimet dhe vlerat e veta.
Ai theksoi se presidenti amerikan kërkon që Britania të tërhiqet nga pozicioni i saj, por kjo nuk do të ndodhë. Sipas tij, kërcënimet me tarifa tregtare dhe presioni politik janë të papranueshme dhe krejtësisht të gabuara.
Reagimi i Starmer vjen pas një serie deklaratash agresive nga Tramp, i cili ka kërcënuar Britaninë dhe vendet europiane me tarifa 10% duke filluar nga 1 shkurti, nëse nuk mbështesin kërkesën amerikane për kontroll mbi Groenlandën. Tramp ka sulmuar gjithashtu disa liderë europianë dhe ka publikuar materiale provokuese mbi pretendimet territoriale amerikane.
Kryeministri britanik konfirmoi se do të zhvillojë bisedime urgjente në Londër me kryeministren daneze, Mette Frederiksen, për të koordinuar qëndrimin përballë krizës në rritje, e cila po trondit marrëdhëniet mes aleatëve të NATO-s.
Ndërkohë, tensionet po reflektohen edhe në arenën ekonomike. Autoritetet britanike kanë paralajmëruar për rreziqe në tregje financiare, ndërsa qeveria thekson se Britania nuk do të lejojë të ndikohet nga kërcënimet dhe do të mbrojë interesin kombëtar.
Kriza e Groenlandës po shihet gjithnjë e më shumë si një nga përplasjet më serioze mes SHBA-së dhe Evropës në dekadat e fundit, me pasoja të mundshme për unitetin e NATO-s dhe stabilitetin gjeopolitik të kontinentit.
