
Presidenti amerikan kritikon politikat europiane, imigracionin dhe energjinë, ndërsa çështja e Groenlandës ndez tensione të forta mes SHBA-së dhe BE-së
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka mbajtur një fjalim të ashpër në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku ka sulmuar drejtpërdrejt Bashkimin Europian, duke deklaruar se Evropa nuk po ecën në drejtimin e duhur dhe se disa vende nuk janë më të njohshme krahasuar me të kaluarën.
Gjatë fjalës së tij para liderëve botërorë dhe përfaqësuesve të biznesit global, Tramp u ndal te politikat europiane të imigracionit, shpenzimeve publike dhe tranzicionit energjetik, të cilat sipas tij kanë dëmtuar ekonomitë kombëtare dhe kanë dobësuar sovranitetin e shteteve. Ai theksoi se modeli amerikan po jep rezultate konkrete, duke përmendur rritjen ekonomike, investimet masive dhe forcimin e kontrollit të kufijve.
Një nga pikat më të nxehta të fjalimit ishte edhe çështja e Groenlandës, territor autonom i Danimarkës, për të cilin administrata amerikane ka shfaqur interes strategjik. Qëndrimi i Tramp ka shkaktuar reagime të forta nga liderët evropianë, të cilët e shohin këtë qasje si kërcënim për rendin ndërkombëtar dhe për stabilitetin e aleancës transatlantike.
Në këtë kontekst, Tramp ka paralajmëruar edhe masa ndëshkuese tregtare, përfshirë tarifa doganore ndaj vendeve evropiane që kundërshtojnë politikat e Uashingtonit. Paralajmërimet e tij kanë rritur frikën për një përshkallëzim të ri të tensioneve ekonomike mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.
Fjalimi i Donald Tramp në Davos ka ndezur debat të fortë politik dhe ekonomik në arenën ndërkombëtare, ndërsa pritet që reagimet dhe lëvizjet diplomatike të intensifikohen në ditët në vijim.
