
Avioni me turistë tajvanezë u rrëzua gjatë një fluturimi panoramik mbi malin Aso, operacionet e shpëtimit u penguan nga gazrat vullkanike dhe moti i keq
Një udhëtim turistik panoramik në Japoni është shndërruar në tragjedi, pasi një helikopter që transportonte turistë u zhduk dhe më pas u gjet i rrëzuar pranë kraterit të një vullkani aktiv në jugperëndim të vendit.
Sipas autoriteteve lokale dhe raportimeve mediatike, helikopteri ishte nisur të martën, më 20 janar 2026, nga një park zoologjik në qytetin Aso, për një fluturim turistik rreth 10-minutësh mbi zonën vullkanike. Mjeti ajror u ngrit në orën 10:52 sipas orës lokale, por nuk u kthye më në pikën e nisjes, duke ngritur menjëherë alarmin.
Pas nisjes së operacioneve të kërkimit, policia e prefekturës Kumamoto njoftoi se kishte gjetur mbetje të një helikopteri të dëmtuar rëndë brenda kraterit vullkanik. Pas verifikimit të numrit serial, autoritetet konfirmuan se bëhej fjalë për helikopterin e zhdukur.
Operacionet e shpëtimit janë përballur me vështirësi të mëdha për shkak të pranisë së gazrave vullkanike, të cilat e bënë të pamundur afrimin e menjëhershëm të ekipeve në zonën e kraterit. Për më tepër, moti i keq dhe mjegulla e dendur kanë penguar rifillimin normal të kërkimeve edhe gjatë mëngjesit të së mërkurës.
Ekipet e emergjencës kanë deklaruar se po monitorojnë vazhdimisht kushtet e sigurisë, përfshirë nivelet e gazrave dhe situatën meteorologjike, përpara se të vazhdojnë operacionet në terren.
Kryeministri i Tajvanit, Cho Jung-tai, ka urdhëruar autoritetet përkatëse që të bëjnë çdo përpjekje të mundshme për zbardhjen e ngjarjes dhe për operacionet e kërkim-shpëtimit.
Fluturimet turistike mbi malin Aso, një nga vullkanet më të mëdha aktive në Japoni, janë ndër atraksionet më të njohura në prefekturën Kumamoto. Sipas autoriteteve, helikopteri drejtohej nga një pilot me mbi 40 vite përvojë, ndërsa dyshohet se kushtet e këqija atmosferike kanë luajtur rol vendimtar në aksident.
Hetimet për shkaqet e sakta të rrëzimit vijojnë.
