
Presidenti amerikan deklaron se vetëm SHBA mund të mbrojë Groenlandën, ndërsa i kërkon Evropës më shumë përgjegjësi për luftën në Ukrainë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka mbajtur një fjalim të fortë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku u ndal gjerësisht te Groenlanda, lufta në Ukrainë dhe marrëdhëniet me Evropën. Ai siguroi se Shtetet e Bashkuara nuk do të përdorin forcën për Groenlandën, por theksoi se kërkon negociata të menjëhershme për të ardhmen e saj.
Tramp deklaroi se ka respekt për popullin e Groenlandës dhe për vendet e NATO-s, por sipas tij asnjë shtet tjetër përveç SHBA nuk është në gjendje të garantojë realisht mbrojtjen e këtij territori strategjik. Ai shtoi se ajo që kërkojnë Shtetet e Bashkuara është thjesht Groenlanda, duke lënë të kuptohet se çështja është thelbësore për sigurinë amerikane dhe globale.
Në fjalën e tij, presidenti amerikan u shpreh kritik ndaj aleatëve europianë, duke thënë se Europa dhe NATO nuk kanë treguar mirënjohjen e duhur për kontributin financiar dhe ushtarak të SHBA ndër vite. Ai pretendoi se më parë Shtetet e Bashkuara mbulonin pothuajse të gjithë buxhetin e NATO-s dhe se kjo situatë ka ndryshuar gjatë administratës së tij.
Sa i përket luftës në Ukrainë, Tramp e cilësoi atë si më të rëndën që nga Lufta e Dytë Botërore, duke përmendur shifra të larta humbjesh njerëzore nga të dyja palët. Ai tha se prioriteti i tij kryesor është përfundimi i kësaj lufte dhe theksoi se sipas tij Europa duhet të marrë përgjegjësinë kryesore për zgjidhjen e konfliktit, jo Shtetet e Bashkuara.
Tramp gjithashtu deklaroi se lufta në Ukrainë nuk do të kishte nisur kurrë nëse zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020 nuk do të ishin manipuluar, duke përsëritur qëndrimet e tij të mëparshme mbi këtë çështje dhe duke kërkuar trajtim të drejtë nga media.
Fjalimi i tij në Davos ka ngjallur reagime të shumta dhe pritet të ndezë debate të forta politike, veçanërisht në Europë, për çështjen e Groenlandës, Ukrainës dhe raportit të ri që administrata Tramp kërkon të ndërtojë me aleatët ndërkombëtarë.
