
Presidenti amerikan deklaron se SHBA nuk do të përdorë forcë, por paralajmëron pasoja politike dhe ekonomike nëse refuzohet kërkesa për ishullin strategjik
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka ndezur debate të forta ndërkombëtare gjatë fjalimit të tij në World Economic Forum në Davos, duke kërkuar hapjen e negociatave të menjëhershme për kalimin e Groenlanda nën kontrollin e SHBA-së.
Gjatë fjalës së tij përpara liderëve botërorë dhe drejtuesve të mëdhenj ekonomikë, Tramp u shpreh se Shtetet e Bashkuara janë e vetmja fuqi e madhe që mund të garantojë sigurinë e Groenlandës, duke theksuar se kjo kërkesë sipas tij është e vogël dhe e arsyeshme në raport me rolin që SHBA ka luajtur historikisht në mbrojtjen e Europës.
Presidenti amerikan deklaroi se nuk ka në plan të përdorë forcë ushtarake për arritjen e këtij qëllimi, por theksoi se një refuzim nga Danimarka dhe aleatët europianë do të mbahet mend nga Uashingtoni. Ai la të kuptohet se pasojat mund të jenë politike dhe ekonomike, përfshirë edhe masa tregtare ndaj disa vendeve europiane.
Në të njëjtën kohë, Tramp kritikoi ashpër Europën, duke deklaruar se ajo nuk po ecën në drejtimin e duhur, veçanërisht në politikat e energjisë, migracionit dhe investimeve strategjike. Sipas tij, rritja ekonomike dhe stabiliteti mund të arrihen vetëm përmes forcimit të industrisë dhe bashkëpunimit më të ngushtë me SHBA-në.
Deklaratat e presidentit amerikan shkaktuan reagime të forta në sallë dhe jashtë saj. Përfaqësues të institucioneve europiane dhe liderë të vendeve anëtare të NATO kanë riafirmuar se Groenlanda nuk është në shitje dhe se sovraniteti i saj i përket popullit vendas dhe Mbretërisë së Danimarkës.
Fjalimi i Tramp në Davos pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet transatlantike, ndërsa tensionet mes SHBA-së dhe Europës për çështjen e Groenlandës dhe politikat tregtare duket se sapo kanë hyrë në një fazë të re.
