
Presidenti amerikan përjashton përdorimin e forcës ushtarake, por kërcënon me pasoja politike dhe ekonomike nëse Evropa dhe Danimarka refuzojnë negociatat
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka shkaktuar reagime të forta gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku u drejtua liderëve europianë me tone të ashpra dhe paralajmëruese, duke rikthyer në qendër të debatit çështjen e Groenlandës.
Tramp deklaroi se pa ndërhyrjen amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore, Europa sot do të fliste gjermanisht dhe madje edhe japonisht, duke theksuar se SHBA ishte vendimtare në fitoren ndaj fuqive të Boshtit. Ai e quajti një gabim historik kthimin e Groenlandës Danimarkës pas luftës dhe e cilësoi qëndrimin aktual të Kopenhagës si mosmirënjohës.
Presidenti amerikan theksoi se Groenlanda është thelbësore për sigurinë globale dhe se asnjë vend tjetër apo aleancë nuk është në gjendje ta mbrojë atë përveç SHBA-së. Megjithatë, ai u përpoq të qetësonte shqetësimet ndërkombëtare duke deklaruar se nuk ka në plan të përdorë forcë ushtarake për të marrë kontrollin e territorit arktik.
Sipas Tramp, Uashingtoni kërkon negociata të menjëhershme për arritjen e një marrëveshjeje mbi Groenlandën, por paralajmëroi se një refuzim nga Danimarka dhe aleatët europianë nuk do të kalojë pa pasoja. Ai la të kuptohet se SHBA mund të reagojë me masa politike dhe ekonomike, përfshirë tarifa tregtare ndaj disa vendeve të Europës.
Në të njëjtën kohë, Tramp kritikoi ashpër politikat energjetike të Mbretërisë së Bashkuar dhe disa vendeve europiane, duke i cilësuar si të dështuara dhe përgjegjëse për çmime të larta energjie dhe dobësim ekonomik. Ai insistoi se Europa nuk po ecën në drejtimin e duhur dhe se duhet të ndjekë shembullin amerikan në industri, energji dhe ekonomi.
Fjalimi i tij në Davos ka thelluar më tej tensionet transatlantike, ndërsa liderët europianë kanë reaguar me shqetësim ndaj toneve dhe paralajmërimeve të presidentit amerikan, veçanërisht lidhur me Groenlandën dhe kërcënimin e një përshkallëzimi tregtar.
