
Presidenti amerikan kritikon hapur kryeministrin kanadez pas fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror dhe thekson varësinë e Kanadasë nga Shtetet e Bashkuara
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka reaguar ashpër ndaj fjalimit të mbajtur nga kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke shfaqur hapur pakënaqësinë e tij nga podiumi i samitit.
Gjatë një fjalimi të gjatë dhe me tone të forta, Tramp u shpreh se Kanadaja përfiton në mënyrë të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara, pa treguar mirënjohje. Ai deklaroi se kishte ndjekur me vëmendje fjalimin e Carney një ditë më parë dhe se ishte i zhgënjyer nga mesazhet e përcjella prej tij.
Sipas Tramp, marrëdhënia mes dy vendeve është e pabalancuar në favor të Kanadasë. Ai theksoi se vendi fqinj në veri mbijeton ekonomikisht dhe strategjikisht falë mbështetjes amerikane, duke shtuar se kjo është diçka që udhëheqësit kanadezë duhet ta mbajnë parasysh në deklaratat e tyre publike.
Fjalimi i Mark Carney në Davos ishte pritur pozitivisht nga një pjesë e audiencës ndërkombëtare dhe u interpretua nga analistë të ndryshëm si një qëndrim indirekt kritik ndaj politikave të administratës Trump, veçanërisht në raport me rendin global dhe marrëdhëniet transatlantike.
Reagimi i presidentit amerikan pritet të shtojë tensionet politike mes Uashingtonit dhe Otavës, në një moment kur në Davos po shfaqen qartë përçarje mes aleatëve tradicionalë të Perëndimit për çështje ekonomike, tregtare dhe strategjike.
