
Akademikja paralajmëron se iniciativa e propozuar nga Tramp rrezikon shtetet e vogla dhe u bën thirrje qytetarëve ta refuzojnë
Akademikja me profil ndërkombëtar Lea Ypi ka dalë hapur kundër vendimit të qeverisë shqiptare për t’iu bashkuar Bordit të Paqes, një nismë e propozuar nga presidenti amerikan Donald Tramp, e cila synon krijimin e një strukture të re ndërkombëtare për menaxhimin e konflikteve, përfshirë atë në Gaza dhe më gjerë.
Përmes një reagimi publik, Ypi e ka cilësuar këtë vendim si një nga më të rrezikshmit e viteve të fundit, duke paralajmëruar pasoja afatgjata për vendet e vogla. Ajo thekson se iniciativa, pavarësisht emërtimit, rrezikon të funksionojë si një mekanizëm i njëanshëm pushteti, jashtë kuadrit të së drejtës ndërkombëtare.
Sipas Ypit, anëtarësimi në këtë bord përbën një akt politik që mund ta lërë Shqipërinë të pambrojtur përballë zhvillimeve gjeopolitike. Ajo shprehet se shtetet e vogla historikisht kanë paguar çmimin më të lartë nga vendime të tilla dhe u bën thirrje qytetarëve të tregojnë guxim duke refuzuar atë që, sipas saj, liderët nuk kanë forcën ta kundërshtojnë.
Reagimi vjen në një moment kyç, pasi qeveria shqiptare ka miratuar zyrtarisht pjesëmarrjen në Bord, ndërsa vendimi pritet të kalojë për miratim në Kuvend. Kryeministri Edi Rama ka pranuar publikisht ftesën e Tramp, duke e paraqitur nismën si pjesë të një plani më të gjerë për paqen ndërkombëtare.
Qëndrimi i Lea Ypit merr peshë të veçantë edhe për shkak të raporteve të saj të mëparshme me të majtën shqiptare dhe faktit se ajo është promovuar shpesh nga Rama si një zë intelektual i rëndësishëm. Emri i saj është përmendur edhe si një profil me potencial politik në të ardhmen.
Ndërkohë, disa vende të rëndësishme europiane kanë refuzuar të bëhen pjesë e Bordit të Paqes. Italia, Franca, Norvegjia, Holanda dhe Greqia kanë deklaruar se një strukturë e tillë, e drejtuar nga një shtet i vetëm dhe jashtë mekanizmave të Kombeve të Bashkuara, bie ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare. Vende të tjera si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Ukraina janë ende në fazë shqyrtimi.
Debati mbi këtë vendim pritet të thellohet në ditët në vijim, ndërsa qëndrimi kritik i Lea Ypit ka hapur një përplasje të re publike mes botës akademike dhe qeverisë shqiptare.
