Të gjithë kemi historitë tona të vogla që nënat na i kanë treguar për ditën e lindjes, por Çiljeta Bome mund ta quajë pa frikë ditën e saj të lindjes si ditën më ogurzezë për nënën e saj, Qerime Bome. Ishte viti 1972 në Shqipërinë komuniste.
Pikërisht atë ditë kur duhej të gëzohej për sjelljen në jetë të vajzës së saj, Qerimja u mor përdhunshëm nga shtrati i spitalit nga Sigurimi i Shtetit dhe u dërgua në qeli, duke mos i dhënë mundësinë të ushqente me gji foshnjën e saj.
Edhe pse lehonë, regjimi komunist nuk e kurseu, por e torturoi në mënyrën më çnjerëzore dhe e dënoi pa bërë asnjë krim.
Çiljeta nuk e ndjeu dashurinë e nënës në vitet e para të jetës së saj, por e ka ndjerë dhimbjen e saj deri në palcë.
Ajo dëshiron ta ndajë këtë histori me të tjerët, si një kujtesë për vuajtjet e nënës së saj dhe të shumë nënave e vajzave të tjera në atë regjim të egër.
“Historia e nënës time është nga më tragjiket e kohës së regjimit diktatorial. Të gjithë të persekutuarit meritojnë respekt për vuajtjet e tyre, por kjo e nënës time është më tepër se e dhimbshme.
Nëna ime, Qerime Bome, rrjedh nga një familje e ndershme, atdhetare kolonjare. Babai i saj, Ramadan Bome, ishte tregtar kolonjar, atdhetar e nacionalist, por pas vitit 1944 regjimi komunist e dënoi me vdekje në mungesë si armik e tradhtar. Ai u largua në Amerikë dhe u aktivizua pranë Vatrës, si mik i Mid’hat Frashërit.
Këto m’i ka treguar gjyshja ime Selvi Bome, e cila më rriti. Aty fillon kalvari i vuajtjeve të familjes Bome.
Gjyshja, me shtatë vajzat, u internua dhe iu konfiskua e gjithë pasuria. Familja kreu internimin me tela nga viti 1945 deri më 1950. Pas lirimit, me ndihmën e disa kolonjarëve të njohur, u vendosën me qira në Tiranë.
Vajzat u martuan dhe mami im, si më e vogla, qëndroi me gjyshen. Ajo u njoh me babain tim, Daut Mustafai, student muzike nga Gostivari. Arti i bashkoi të dy, pasi mami kishte mbaruar pikturën.
Pas martesës pa celebrim, për shkak se babai ishte nënshtetas i huaj, u vendosën në Lushnjë. Në vitin 1972, në muajin e nëntë të shtatzënisë, mami erdhi në Tiranë për të lindur. Atë ditë mësoi se babai ishte arrestuar nga Sigurimi i Shtetit.
Në maternitet, Sigurimi e mori për “një pyetje” dhe e çoi në hetuesi. Krizat e lindjes nisën aty. Pas shumë orësh, e çuan të lindte, por sapo mbaroi lindja, e kthyen sërish në qeli.
Ajo u mbajt në një qeli të vogël, të errët. Doktori i lidhte gjoksin për t’i ndërprerë qumështin. Hetuesit Dolorez Velaj dhe Helam Gjika e akuzonin si armike të pushtetit popullor, e dhunonin psikologjikisht dhe e ballafaqonin me familjarët e gjakosur nga torturat.
Kur e pyetën si do ta quante foshnjën, ajo u përgjigj: “Ju më mbyllët jetën, ndaj fëmijën tim do ta quaj Çil Jetë – Çiljeta.”
Qerime Bome u dënua me 15 vjet burg si kryetare e një grupi armiqësor. Familjarë të tjerë u dënuan gjithashtu. Çiljeta qëndroi në maternitet për disa muaj, derisa gjyshja e mori.
Qerimeja u lirua në vitin 1983 me dekret të veçantë. Ajo ndërroi jetë në vitin 1992 nga pasojat e burgut. Babai vdiq pak vite më vonë. Çiljeta u rrit mes varfërisë, frikës dhe persekutimit.
“Kërkojmë drejtësi morale,” shprehet ajo, “që brezat e rinj të dinë çfarë i bëri diktatura terroriste inteligjencës dhe familjeve shqiptare.”
