
Përfaqësuesit e Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave deklarojnë se një gjykatë penale nuk ka kompetencë kushtetuese të pezullojë një ministër, ndërsa vendimmarrja në Infrastrukturë dhe Energji ka mbetur e ngrirë
Paraditen e kësaj të enjteje, në ambientet e Gjykata Kushtetuese, po zhvillohet seanca për shqyrtimin e kërkesës së Këshillit të Ministrave dhe kryeministrit Edi Rama, lidhur me pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Përfaqësuesja ligjore e Kryeministrit theksoi para trupës gjykuese se kërkesa nuk ka karakter personal dhe nuk lidhet me procedimin penal apo me të drejtat e një të pandehuri, por me marrëdhëniet kushtetuese mes pushteteve. Sipas saj, çështja thelbësore që duhet të zgjidhë Gjykata Kushtetuese është nëse një gjykatë penale ka të drejtë të pezullojë nga detyra një ministër, njësoj si çdo funksionar tjetër i ekzekutivit.
Në argumentimin e saj, ajo nënvizoi se Kushtetuta nuk i njeh një kompetencë të tillë gjykatës penale dhe se masa e pezullimit ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e qeverisë. Sipas përfaqësueses, vendimmarrja në fushën e infrastrukturës dhe energjisë është bllokuar, pasi ministri i pezulluar nuk mund të propozojë projektakte në Këshillin e Ministrave.
Qeveria kundërshtoi pretendimin e prokurorisë se këto projektakte mund të propozohen nga kryeministri, duke argumentuar se kreu i qeverisë nuk mund të ndërhyjë në kompetenca që Kushtetuta ua atribuon ministrive përkatëse. Në këtë mënyrë, pezullimi i ministrit, sipas saj, nuk ka ndikuar vetëm te individi, por ka paralizuar një fushë të tërë të veprimtarisë shtetërore.
Përfaqësuesja e Kryeministrit sqaroi gjithashtu se Këshilli i Ministrave është legjitimuar të paraqitet në këtë gjykim, pasi është vetë institucioni që është prekur në ushtrimin e kompetencave të tij. Po ashtu, edhe kryeministri, sipas saj, preket drejtpërdrejt nga masa e sigurimit, pasi vendoset përballë detyrimit për të zëvendësuar një anëtar të qeverisë, duke sjellë pasoja institucionale dhe politike.
Nga ana tjetër, u kundërshtua qëndrimi i SPAK dhe i GJKKO, sipas të cilit institucionet duhet të presin shterimin e të gjitha shkallëve të gjykimit penal. Përfaqësuesja solli si shembull rastin e një deputeti, duke theksuar se as Kuvendi nuk do të priste përfundimin e ankimeve individuale nëse do të cënoheshin kompetencat e tij kushtetuese.
Në të njëjtën linjë, përfaqësuesi ligjor i Këshillit të Ministrave, Herald Jonuzaj, deklaroi se me vendosjen e masës së sigurisë ndaj Ballukut janë cenuar drejtpërdrejt kompetencat e Këshillit të Ministrave. Ai ngriti pyetjen nëse masat e sigurimit penal janë të pakufizuara dhe mund të vendosen ndaj kujtdo, apo nëse Kushtetuta parashikon kufij të qartë për raste të tilla.
Sipas tij, një degë e funksionimit të Këshillit të Ministrave është dëmtuar nga kjo masë, ndërsa pikërisht ky cenim përbën arsyen pse çështja ndodhet sot përpara Gjykatës Kushtetuese.
