
Demokratët deklarojnë se do ta votojnë marrëveshjen, por kërkojnë ndryshime kushtetuese duke hequr emrin e kryeministrit nga dokumenti i ratifikimit
Partia Demokratike deklaroi në seancën plenare të Kuvendi i Shqipërisë se do të votojë pro marrëveshjes për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, por njëkohësisht ka depozituar amendamente ku kërkon heqjen e emrit të kryeministrit Edi Rama nga teksti i marrëveshjes.
Sipas demokratëve, përfaqësimi i Shqipërisë në organizata ndërkombëtare duhet të bëhet nga institucione shtetërore dhe jo nga individë të veçantë. Ata theksojnë se është e paprecedentë në historinë e vendit dhe në praktikën e së drejtës ndërkombëtare që një marrëveshje ndërkombëtare të ratifikohet duke përmendur emra konkretë.
Në amendamentet e dorëzuara në Kuvend, PD argumenton se projektligji aktual cenon parimet kushtetuese dhe nuk përputhet me nenin 121 të Kushtetutës, si dhe me legjislacionin në fuqi për marrëveshjet ndërkombëtare. Sipas tyre, Republika e Shqipërisë përfaqësohet në organizma ndërkombëtarë nga shteti si institucion dhe jo nga një figurë individuale politike.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike propozon që titulli i projektligjit të riformulohet, duke hequr referimin personal dhe duke e fokusuar dokumentin te Republika e Shqipërisë si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Po ashtu, kërkohet ndryshimi i nenit 1, duke saktësuar se ratifikohet marrëveshja e pranimit të Shqipërisë në Kartën e Bordit të Paqes, sipas tekstit shoqërues.
Një tjetër amendament parashikon që përfaqësimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes të bëhet nga Presidenti i Republikës, ose me autorizim të tij nga Kryeministri, në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore. Sipas PD-së, kjo formulë garanton qartësi institucionale dhe shmang personalizimin e përfaqësimit të shtetit shqiptar.
Demokratët theksojnë se mbështesin aderimin në Bordin e Paqes si një hap pozitiv për vendin, por insistojnë se procesi duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe standardet e së drejtës ndërkombëtare, pa krijuar precedentë të rrezikshëm për funksionimin e shtetit.
