
Presidenti amerikan shpall statutin e parë të Bordit të Paqes gjatë Forumit Ekonomik Botëror, duke e paraqitur si mekanizëm për rindërtimin e Gazës dhe ndërhyrje në konfliktet ndërkombëtare
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka prezantuar zyrtarisht në Davos statutin e parë të Bordit të Paqes, një nismë e re ndërkombëtare që synon mbikëqyrjen e procesit të rindërtimit në Gaza dhe ndërhyrjen në zona të tjera konflikti.
Shpallja u bë gjatë punimeve të Forumi Ekonomik Botëror, ku Tramp e cilësoi Bordin e Paqes si një strukturë që do të garantojë stabilitet, siguri dhe bashkëpunim ndërkombëtar në rajone të goditura nga lufta. Sipas tij, Gaza do të jetë testi i parë konkret i funksionimit të këtij bordi.
Tramp deklaroi se shumë shtete kanë shprehur interes për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, ndërsa disa vende do të kenë rol të përhershëm financiar dhe vendimmarrës. Ai theksoi se kjo strukturë nuk synon të zëvendësojë organizata ekzistuese, por të veprojë si mekanizëm praktik për zgjidhje të shpejta dhe konkrete.
Megjithatë, nisma ka ngjallur debate dhe rezerva në arenën ndërkombëtare. Disa vende evropiane kanë shprehur shqetësime mbi legjitimitetin dhe mandatin e Bordit të Paqes, duke paralajmëruar se një strukturë e tillë mund të cenojë rolin tradicional të organizmave ndërkombëtarë të paqes.
Sipas burimeve diplomatike, diskutimet pritet të vazhdojnë edhe pas Davosit, ndërsa mbetet e paqartë se cilat shtete do të firmosin zyrtarisht aderimin në Bord dhe çfarë kompetencash reale do të ketë ai në terren.
Bordi i Paqes, i shpallur nga Tramp, pritet të jetë një nga temat më të diskutuara të diplomacisë ndërkombëtare në muajt në vijim, veçanërisht për shkak të rolit të tij të drejtpërdrejtë në çështjen e Gazës.
