
Presidenti amerikan shoqëron prezantimin e Bordit të Paqes me batuta dhe deklarata që ndezin sallën e Forumit Ekonomik Botëror
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka mbajtur një fjalim me tone të drejtpërdrejta dhe ironike në kuadër të Forumi Ekonomik Botëror në Davos, ku u ndal gjerësisht te roli dhe rëndësia e Bordit të Paqes në arkitekturën e re ndërkombëtare.
Gjatë fjalës së tij, Tramp theksoi se Bordi i Paqes është një nga mekanizmat më të rëndësishëm të krijuar në arenën globale dhe se interesi për t’u bërë pjesë e tij është shumë i lartë. Sipas tij, pothuajse çdo shtet dëshiron të jetë pjesë e këtij grupi, ndërsa ftesat janë dërguar dhe shumë nga liderët ndodhen aktualisht në Davos.
Fjalimi mori një kthesë ironike kur Tramp foli për marrëdhëniet personale me disa nga liderët botërorë, duke pranuar se ndonëse shumicën i vlerëson, ka disa prej tyre që nuk i pëlqen aspak. Ai u shpreh se në këtë grup i vlerëson të gjithë, me përjashtim të dy ose tre liderëve që, sipas tij, nuk i duron dot.
Në të njëjtën dalje, Tramp iu referua edhe bisedave me presidentin rus Vladimir Putin, duke deklaruar se ky i fundit i kishte thënë se lufta nuk do të kishte nisur nëse ai do të ishte president i SHBA-ve në atë kohë. Sipas Tramp, Bordi i Paqes përfaqëson një instrument konkret për të shmangur konflikte të tilla dhe për të krijuar një mekanizëm ndikues në nivel global.
Deklaratat e tij kanë tërhequr vëmendje të gjerë ndërkombëtare, jo vetëm për përmbajtjen politike, por edhe për stilin e drejtpërdrejtë dhe gjuhën e pazakontë që ai përdori përballë liderëve botërorë.
Bordi i Paqes pritet të jetë një nga temat më të diskutuara të diplomacisë ndërkombëtare në vijim, ndërsa fjalimi i Tramp në Davos ka shtuar edhe më shumë debat rreth rolit dhe ndikimit real të kësaj nisme.
