
Ndërsa liderë të ftuar firmosën statutin themelues të Bordit të Paqes, Shqipëria nuk u përfaqësua në nivelin më të lartë, në kontrast me praninë e Kosovës
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka firmosur në Davos marrëveshjen për krijimin e Bordit të Paqes, gjatë një ceremonie të zhvilluar në kuadër të Forumi Ekonomik Botëror. Dokumenti u nënshkrua nga krerë shtetesh dhe drejtues që kanë pranuar ftesën personale të Tramp për t’u bërë pjesë e këtij organizmi të ri ndërkombëtar.
Në ceremoni ishte e pranishme presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila firmosi dokumentin duke përfaqësuar zyrtarisht Prishtinën. Përpara nënshkrimit, Osmani dhe Tramp zhvilluan një takim të shkurtër kokë më kokë, i shoqëruar me shtrëngim duarsh, përpara se Kosova të zyrtarizonte pjesëmarrjen në Bord.
Në tryezën e liderëve të ftuar drejtpërdrejt nga Tramp u vu re mungesa e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili më herët ishte shprehur publikisht entuziast për përfshirjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes. Ndërsa Kosova u përfaqësua në nivelin më të lartë shtetëror, Shqipëria nuk ishte e pranishme në këtë ceremoni, një kontrast që nuk kaloi pa u vënë re në Davos.
Mungesa e Ramës ka ngritur pikëpyetje, veçanërisht në një kohë kur Shqipëria ka nisur procedurat institucionale për aderimin në Bord. Kryeministri shqiptar ishte përmendur më herët në disa media ndërkombëtare edhe për deklarata ironike ndaj Tramp në të kaluarën, çka ka shtuar spekulimet mbi arsyet e mungesës së tij në këtë event.
Gjatë fjalimit në Davos, Tramp e cilësoi Bordin e Paqes si një nga mekanizmat dhe instrumentet më të rëndësishme të krijuara ndonjëherë në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se thuajse çdo vend dëshiron të jetë pjesë e këtij grupi. Me stilin e tij karakteristik, ai shtoi se liderët e Bordit i vlerëson pothuajse të gjithë, me përjashtim të dy ose tre prej tyre që, sipas tij, nuk i duron dot.
Tramp iu referua gjithashtu bisedave me presidentin rus Vladimir Putin, duke deklaruar se ky i fundit i kishte thënë se lufta nuk do të kishte nisur kurrë nëse ai do të ishte president i SHBA-ve në atë kohë.
Ceremonia e Davosit dhe firmosja e Bordit të Paqes kanë rikthyer në vëmendje debatin mbi rolin real të Shqipërisë në këtë nismë dhe nivelin e përfaqësimit të saj në skenën ndërkombëtare.
