
Kryeministri thotë se kishte një zgjedhje mes ftesës për Bordin e Paqes dhe pritjes së Ivanka Tramp në Shqipëri, duke theksuar se vendimi u mor me dakordësinë e presidentit amerikan
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj kritikave të opozitës për mungesën e tij në Davos, ku u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes për aderimin në Bordin e Paqes, një nismë e ndërmarrë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp.
Në përgjigje të interesit dhe pyetjeve të deputetëve opozitarë, Rama deklaroi se nuk ishte i pranishëm në Davos për shkak se kishte për të bërë një zgjedhje mes pjesëmarrjes në ceremoninë ndërkombëtare dhe pritjes së Ivanka Tramp në Shqipëri.
Sipas kreut të qeverisë, vendimi për të qëndruar në vend u mor me dakordësinë e vetë presidentit amerikan. Ai theksoi se zgjodhi të mirëpriste vajzën e Tramp në Shqipëri, duke e konsideruar këtë si një veprim të rëndësishëm diplomatik dhe simbolik.
Deklaratat e Kryeministrit vijnë në një klimë debati politik, ku opozita ka ngritur pikëpyetje mbi përfaqësimin e Shqipërisë në Davos dhe mungesën e tij në momentin e nënshkrimit të Kartës së Bordit të Paqes.
