
Në Forumin Ekonomik Botëror 2026, Ukraine House shndërrohet në qendër konkrete marrëveshjesh, duke treguar se vendi mund të tërheqë kapital edhe në kohë lufte
Ndërsa temperaturat në Ukrainë kanë zbritur deri në -18 gradë dhe vendi përballet me mungesë energjie për shkak të sulmeve ruse ndaj infrastrukturës, liderë botërorë dhe drejtues biznesesh janë mbledhur në Davos të Zvicrës për punimet e Forumi Ekonomik Botëror.
Mes tyre ishte edhe Ulyana Khromyak, drejtoreshë ekzekutive e Ukraine House Davos, e cila përfaqëson bizneset ukrainase dhe synon të sjellë investime konkrete në vend, pavarësisht luftës në vazhdim.
Gjatë forumit, Ukraine House Davos njoftoi firmosjen e marrëveshjeve të rëndësishme investimi me vlerë totale 350 milionë euro, të shpërndara në dy fonde të reja. Sipas Khromyak, këto marrëveshje tregojnë se Ukraina mbetet një destinacion i mundshëm investimi edhe në kushtet e konfliktit.
Një nga marrëveshjet kryesore u realizua nga kompania investuese me seli në Kiev Horizon Capital, e cila siguroi mbi 150 milionë euro për fondin Catalyst. Një ditë më pas, u njoftua krijimi i një fondi të ri prej 200 milionë eurosh nga Dragon Capital në bashkëpunim me Amber Infrastructure.
Sipas Khromyak, ky vit shënoi një kthesë për Ukraine House Davos, nga një hapësirë diskutimesh në një platformë ku shpallen dhe firmosen marrëveshje reale. Ajo theksoi se Ukraina nuk është vetëm një vend që kërkon ndihmë, por një partner që ofron zgjidhje në sektorë si mbrojtja, teknologjia, energjia, bujqësia dhe digjitalizimi.
Gjatë Davosit, u përmendën edhe shembuj konkretë suksesi, si listimi i kompanisë së telekomunikacionit Kyivstar në Nasdaq dhe rritja e kapacitetit të prodhimit në industrinë e mbrojtjes deri në 35 miliardë dollarë. Gjithashtu, marrëveshja për mineralet, e diskutuar fillimisht në Davos 2025, tashmë ka hyrë në fazën e zbatimit.
Ndër temat kryesore të këtij viti ishin energjia, infrastruktura, bujqësia dhe bashkëpunimi ekonomik mes Ukrainës dhe SHBA. Megjithëse një plan prosperiteti prej 800 miliardë dollarësh nuk u firmos, interesimi i bizneseve amerikane për investime në Ukrainë mbetet i lartë.
Në sfondin e bisedimeve për paqen dhe përpjekjeve për të bindur presidentin amerikan Donald Tramp përmes ofertave ekonomike, Ukraine House Davos synon të përcjellë mesazhin se paqja dhe zhvillimi ekonomik janë të pandashëm dhe se investimi në Ukrainë nuk është bamirësi, por një investim në të ardhmen.
