
Dy alpiniste me përvojë humbën jetën gjatë një pushimi romantik në Brecon Beacons, ndërsa autoritetet shqyrtojnë sigurinë e shtigjeve
Një çift i martuar ka humbur jetën në mënyrë tragjike pasi u mbyt në një ujëvarë në Parkun Kombëtar Brecon Beacons National Park në Uells, gjatë një pushimi romantik. Ngjarja ndodhi në janar të vitit 2023, vetëm një vit përpara se një tjetër turist të humbiste jetën në të njëjtin vend.
Viktimat, Rachael Patching 33 vjeçe dhe bashkëshortja e saj Helen, 52 vjeçe, ishin alpiniste me përvojë dhe kishin udhëtuar rreth 200 kilometra nga shtëpia e tyre në Kent për të vizituar zonën e njohur si Waterfall Country.
Çifti u raportua i zhdukur gjatë ecjes në shtegun Four Waterfalls Walk, ndërsa alarmi u dha pasi një kalimtar vuri re një trup në ujë. Automjeti i tyre u gjet në një parkim pranë zonës, ndërsa një çantë shpine me shkopinj ecjeje u zbulua buzë lumit.
Trupi i Helen u gjet më 5 janar nga një kajakist, ndërsa Rachael u zbulua tre ditë më vonë në brigjet e një lumi pranë Glynneath. Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi se shkaku i vdekjes për të dyja ishte mbytja.
Gjatë seancës hetimore u bë e ditur se çifti ishte martuar shtatë vite përpara tragjedisë dhe përshkruhej nga familjarët si i dashuruar pas natyrës dhe aventurës. Të dyja konsideroheshin alpiniste të kujdesshme dhe me eksperiencë të gjatë.
Hetimi nxori në pah se vetëm një vit më pas, në të njëjtën zonë, një tjetër turist, 26-vjeçari Corey Longdon, humbi jetën pasi ra nga një shkëmb rreth 30 metra i lartë gjatë një shëtitjeje.
Autoritetet policore të Dyfed Powys Police kanë bërë të ditur se po shqyrtohet siguria e shtigjeve dhe zonave pranë ujëvarave, ndërsa mjekja ligjore Rachel Knight po vlerëson nëse duhet hartuar një raport për parandalimin e vdekjeve të ardhshme.
Hetimet për këtë seri ngjarjesh tragjike vijojnë.
