
Donald dhe Melania Trump priten me ceremoni madhështore nga familja mbretërore britanike, në një vizitë dyditore që përfshin homazhe, banket shtetëror dhe takime diplomatike.
Donald Trump, së bashku me bashkëshorten e tij Melania, ka nisur një vizitë zyrtare dyditore në Mbretërinë e Bashkuar, ku janë pritur nga familja mbretërore britanike me një program të ngjeshur ngjarjesh dhe ceremonish. Kjo është hera e dytë që Trump viziton Britaninë në cilësinë e Presidentit të SHBA, pas vizitës së parë në vitin 2019, dhe njëkohësisht hera e parë që një lider botëror pritet zyrtarisht nga Mbreti Charles III.
Çifti presidencial mbërriti të martën në mbrëmje në Londër. Vizita do të nisë zyrtarisht të mërkurën në mëngjes, me pritjen e organizuar nga Princi dhe Princesha e Uellsit. Ceremonia do të përfshijë një përshëndetje me artileri në kështjellën Windsor dhe Kullën e Londrës, një parade kalorësie dhe interpretimin e himneve kombëtare të të dy vendeve. Më pas, Trump dhe Mbreti Charles III do të ndjekin gardën e nderit përpara se të zhvillojnë një drekë të ngushtë.
Pasdite, Trumpdo të nderojë kujtimin e Mbretëreshës Elizabeth II në kapelën Shën Gjergji, Më pas do të marrë pjesë në një ceremoni ushtarake të përbashkët me forcat britanike dhe amerikane, e cila do të përfundojë me një fluturim spektakolar të avionëve luftarakë.
Mbrëmja do të kulmojë me një banket shtetëror në sallën historike St George’s Hall të kështjellës Windsor, ku do të marrin pjesë rreth 160 të ftuar.
Të enjten, axhenda e çifti presidencial do të ndahet. Donald Trump do të zhvillojë një takim në Chequers, rezidenca e kryeministrit Keir Starmer, ku do të diskutojë çështje ekonomike dhe tregtare me një grup drejtuesish biznesi amerikanë. Ndërkohë, Melania Trump do të shoqërohet fillimisht nga Mbretëresha Camilla për të vizituar bibliotekën mbretërore dhe shtëpinë e kukullave të Mbretëreshës Mary. Më pas, ajo do të takohet me Princeshën Kate në kopshtet Frogmore Gardens, ku do të takojnë fëmijët e programit “Scout’s Squirrels”.
Vizita do të mbyllet të enjten mbrëma, kur çifti presidencial do të bashkohet përsëri në Chequers përpara nisjes drejt Uashingtonit.